Në kërkim në Itali për plagosje dhe grabitje, kush është 38-vjeçari i arrestuar në Shkodër

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 38-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për grabitje me armë dhe plagosje.

Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi Agron Ndoci, banues në Velipojë, ndërkohë ai do të ekstradohet drejt Italisë.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e tyre. Finalizohet nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Xhabija”.

Kapet në Shkodër dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grabitje me armë dhe plagosje. Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes DVP Shkodër dhe Interpol Tirana, u organizua operacioni policor i koduar “Xhabija”, për kapjen e shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në lagjen ‘’Xhabije’’, Shkodër, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasin:

– Agron Ndoci, 38 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Triestes, Itali, më datë 08.05.2023, ka lëshuar urdhrin e arrestit për veprat penale “Grabitja me armë” dhe “Plagosja”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Loading...