Ismail Lulani është një ndër piktorët më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit shqiptar. Ai renditet te artistët që ndikuan fuqishëm në modernizimin e këtij arti gjatë çerekut të fundit të shekullit XX.
Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë. Ka krijuar personazhe sidomos me figurat e malësorëve. Ai ishte një artist që tërhiqej nga jeta e njerëzve të thjeshtë të zonës së veriut të vendit.
Edhe piktura e mëposhtme i qëndron besnike këtij frymëzimi. Ajo paraqet dy vajza me veshje tipike të veriut shqiptar.
Piktura është zbuluar rastësisht nga një gazetar shqiptar, pas blerjes së një apartamenti të vjetër në zonën e Bllokut në Tiranë, ku dikur kishte banuar një oficer, i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës.
Lulani u lind në Tuz dhe u vendos në Shkodër me familjen në moshën 9 vjeçare. Ai mbaroi Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë monumentale në Tiranë në 1967 dhe u emërua profesor në këtë Akademi, ku punoi për disa vjet.
Më pas me dëshirën e tij, e la Tiranën dhe u vendos në qytetin e Shkodrës ku punoi si profesor në Liceun Artistik të këtij qyteti deri sa doli si piktor në krijmtari të lirë.
Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Lulani eksploroi me mjeshtëri në të gjitha gjinitë e pikturës, si kompozim, pejsazh, portret, natura të qeta. Pikturat e tij shquhen për lojrat magjike të ngjyrës dhe për vizatimin ekspresiv.
Lulani ka ekspozuar në shumë vende të huaja si Frascat, Romë, Paris, Linz (Austri), New York, Boston, Toronto, Athinë, Pekin, Shangai, Irlande, Rumani, Belgjike, Beograd, Podgoric, Cetinj, Tivar, Ulqin, Prishtinë, Aleksandri, Turqi , Tunizi, Hungari, duke marë vlerësime të larta nga kritika e huaj.
Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm në Francë, Austri, Itali, USA, Gjermani, etj./Dita