TEA (Tourism Events of Albania), është aplikacioni i parë i krijuar në Shqipëri, si kalendari i parë digjital për eventet e turizmit kulturor, sporteve dhe të traditës, i disponueshëm në Apple Store dhe në Play Store.
Është projekt i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Ky kalendar dhe aplikacion u prezantua sot para Piramidës, në prani të kryeministrit Edi Rama, Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çelës.
Jetojmë në epokën e inteligjences artificiale, në periudhën e Shqipërisë dixhitale, ku çdo shërbim ofrohet dhe merret me një klik, në çdo kohë e nga çdo vend, me kompjuter apo celular.
Shqipëria e eventeve të bukura turistike s’mund të mbetej jashtë zhvillimeve dixhitale.
Në aplikacionin TEA do të pasqyrohen eventet e kategorive të ndryshme si Art Fest, Trashëgimi Kulturore, Festivale Muzikore, Sport, Koncerte, Folklor, Festa Lokale, Arte Pamore, Agroturizëm e Kulinari dhe Teatër.
Janë mbledhur në çdo cep të Shqipërisë mbi 1.110 evente nga më të ndryshmet dhe TEA do të sjellë informacionin për çdo event, për çdo preference e grupmoshë, në shqip e në anglisht.
Çdo event brenda aplikacionit do të ketë faqen e tij të dedikuar me informacion të detajuar dhe përdoruesit do të njoftohen për eventet e tyre të preferuara kur data e tyre të afrojë.
TEA ka edhe disa butona të tjerë të dobishëm për të përmirësuar përvojën e përdoruesëve të saj. Vetëm me një trokitje, butoni “Vendndodhja” do t’i drejtojë ata në vendin e ngjarjes. Butoni “Kalendari” e ruan ngjarjen në kalendarin personal të përdoruesit, duke u siguruar që ai të mos humbasë asnjë event për shkak të harresës në kohë.
Dhe për kë dëshiron t’i ndajë emocionet që falin eventet e turizmit, butoni “Share” u lejon përdoruesëve të përhapin me lehtësi fjalën te miqtë dhe familjet e tyre. Dhe së fundi, butoni “Zemra” u lejon atyre të ruajnë ngjarjet e tyre të preferuara në skedën e preferencave, në mënyrë që t’i rivizitojnë ato në çdo kohë.
Gjatë prezantimit, mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se një aplikacion i tillë do të shërbejë për të informuar gjithmonë e më shumë persona mbi mundësitë turistike që ofron Shqipëria.
“Sot mund të themi që kemi një kalendar kulturor dhe artistik të gjithë Shqipërisë turistike i cili është i aksesueshëm nga kushdo përmes një aplikacioni të thjeshtë informues me shumë shije. Është një punë e filluar prej vitesh, sot është në një fazë të re por në zhvillim të vazhdueshëm sepse ne besojmë shumë që Shqipëria turistike është përtej ujërave të mrekullueshëm të detit, përtej majave magjike të maleve, përtej luginave dhe bukurive natyrore në tërësi. Arsyet për ta vizituar Shqipërinë turistike janë shumë më tepër sesa kaq.
Bashkimi i trashëgimisë kulturore, i artit, i gatimit dhe aktiviteteve tradicionale, janë një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur kapacitetin që Shqipëria ka në thithjen e turistëve nga e gjithë bota. Ky kalendar i jep mundësi kujtdo që përmes aplikacionit të jetë i informuar në kohë reale sipas vendndosdhjes për çdo mundësi që ka në një periumetër të caktuar për të aksesuar muzeume, site arkeologjike, teatro festa e kështu me rradhë”-tha Rama.