Ngjela: ‘Ja ku ndodhet Ahmetaj…’

Avokati Spartak deklaroi se maxhoranca dhe kryeministri Edi Rama kanë dashur kohë për të kthyer Ahmetajn në vend, referuar debatit për seancën ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv. kryeministrit të akuzuar për aferën e inceneratorëve.

Sa i përket akuzave të tij, Ngjela tha në News24 se nuk janë të rënda, duke përmendur 7-8 vite burg, por si avokat theksoi se Ahmetaj duhet të kthehet për t’u mbrojtur në gjykatë.

Ai shtoi se sipas të dhënave të tij, deputeti i PS ndodhet në Kanada.

“Pse donin ta çonin të hënën socialistët? Kanë shpresë se do të kthehen. Se ç’do bëjë ai problem tjetër. Sot socialistët nuk donin që të bëhej nesër seanca. Çfarë ndryshimi ka nga e premtja në të hënën që të bëhej heqja e imunitetit, asgjë. Po pse e kthyen, kam përshtypjen se do kthehet Ahmetaj.

Do presim dhe të shikojmë. Si rregull fakti që ata e donin të hënën dhe opozita e donte të premte, mendimi im është se ata kanë dashur kohë që ta kthejnë. Rama ka dashur kohë që të kthejë Ahmetajn. Ne nuk e dimë çfarë ka bërë ai. A ka ikur për të mos u kthyer apo jo. Sipas të dhënave të mia është në Kanada. Kanadaja nuk ka marrëveshje ekstradimi me ne”, tha Ngjela.

Sa i përket akuzave, ai u shpreh se gjithçka varet nga gjykata, teksa shtoi se pa qenë prezent Ahmetaj nuk mbrohet dot.

“Nuk quhen të rënda. Varet si do vendosë gjykata, me mbledhje, me më të madhin e shtuar apo jo. Mund të dënohet 7 apo 8 vjet. Nuk ka rëndësi sa do dënohet, rëndësi ka si do bëjë mbrojtje. Në qoftë se nuk je prezent në gjykatë, nuk ke mbrojtje të fortë.

Mendimi im është që duhet të kthehet. E ka të detyrueshme për fatin e tij të jetë në gjykatë, mos të jetë në mungesë.

Ai është në një proces penal, në të cilin duhet të jetë prezent. Pa qene prezent nuk mbrohet dot. Në qoftë se nuk rikthehet do të shohim si do precipitojnë ngjarjet. Unë nuk e njoh dosjen. Nuk mund të fantazoj. Është i detyruar të vijë këtu, jo për moral, por për mbrojtjen e tij”, tha ai.

Loading...