Plas keq në Kuvend, Noka tenton të kapërcejë karriget, ndërhyn Garda

Seanca e fundit plenare për këtë session parlamentar u shoqërua me debate mes opozitës dhe maxhorancës në lidhje me projektligjin për studentët e mjekësisë. Ishte deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, ajo e cila pas një takimi me studentët e mjekësisë që po protestojnë jashtë Kuvendit, kërkoi që këta të fundit të ishin të pranishëm në seancë dhe të pasqyronin argumentet e tyre.

Deputetja kërkoi nga kryetarja e Kuvendit ngritjen e një grupi pune me qëllim që të bisedojë me studentët që ata të jenë të pranishëm në seancë.
“Sapo vijmë nga një takim me studentët të cilët kërkojnë të jenë pjesë e kësaj séance ku po diskutohet e ardhmja e tyre. Ata kanë nisur një kërkesë ditën e djeshme drejtuar Kryetares Lindita Nikolla dhe ende nuk kanë marrë një përgjigje”, tha Gjergji

Në përfundim të fjalës së deputetes, ishte kolegu i saj Flamur Noka ai i cili u përpoq t’i dorëzonte kërkesën e studentëve nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj. Noka tentoi të kapërconte karriget e kabinetit qeverisës për të dorëzuar shkresën.

Në atë moment ndërhyri garda dhe Nokës iu kërkua që kërkesën ta dorëzonte në sekretarinë e Kuvendit.

“Ka sekretari, nuk jepet duke kapërcyer karriget kërkesa. I jepet sekretarisë dhe i përcillet drejtuesit të seancës. S’ka nevojë të bëni cirk, mund të sillemi si njerëz dhe të mos i vëmë në pozitë punonjësit e Gardës se nuk kanë lidhje me politikën por me pozicionin e tyre të punës”, tha Felaj.

Loading...