Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se me vjedhjen e Bashkisë së Rrogozhinës, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj nuk mund të mbulojnë vjedhjen e shekullit, atë të djegësve, vjedhjen me Pyllin Orbital, vjedhjet që arrijnë në 138 miliardë lekë sipas KLSH-së, vjedhjet që vetëm në dogana e tatime sipas tij arrijnë në 104 miliardë lekë.
Ndër të tjera, Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen fuqishëm në protesta për të luftuar për vendin e tyre dhe të ardhmen.
“Me vjedhjen e Bashkisë së Rrogozhinës, Edi Rama dhe Erion Veliaj, jo vetëm nuk mbulojnë dot vjedhjen e shekullit, të djegësve, vjedhjen e tmerrshme me Pyllin Orbital, vjedhjet e tyre të tmerrshme që arrijnë në 138 miliardë lekë sipas KLSH-së, me vjedhje të tmerrshme që vetëm në dogana e tatime arrijnë në 104 miliardë lekë, por përkundrazi, ftoj shqiptarët, në emër të shpresës, në emër të besimit të tyre te liria, të ngrihen kundër këtij regjimi, i cili është një armik i egër i qenies së shqiptarëve.
Opozita mbyll sot një etapë, në të cilën ajo nuk gjeti asnjë befasi. Ajo paralajmëroi shqiptarët tre muaj më parë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Por paralajmërimi ishte paralajmërim. Faktet, dokumentet, ishte detyrimi i saj t’i paraqiste para shqiptarëve dhe ketë ne e bëmë me vendosmëri gjer ditën e sotme.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare, që e do këtë vend, që beson se ai dhe fëmijët e tyre meritojnë një të ardhme jo si shtet mafioz, jo si narkoshtet, jo si shtet ku klanet e mafies bëjnë ligjin, asgjë nuk mund të mposhtë vullnetin e atyre që vendosin të luftojnë, të qëndrojnë për liri dhe dinjitet të vetin dhe vendit të tyre”, tha Berisha.