Gjeti portofolin me 10 mijë euro dhe miliona lekë, studenti i Akademisë së Policisë ia dorëzon të zotit, vlerësohet me Certifikatë Mirënjohjeje

NJOFTIMI I POLICISË

Vlerësohet me Certifikatë Mirënjohjeje, kursanti për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë, Xhojsi Lamaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka vlerësuar gjestin e kursantit për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë, Xhojsi Lamaj.

Muhamet Rrumbullaku: “Gjesti i kursantit për Patrullë të Përgjithshme është modeli më i mirë që duhet të ndjekin punonjësit e Policisë, në raport me qytetarët. Nga ana tjetër, kjo tregon nivelin e lartë të mësimdhënies në Kolegjin e Policisë, të përgatitjes dhe të orientimit të kursantëve, të cilët pas përfundimit të Kolegjit, do t’i shërbejnë qytetarëve. Punonjësi i Policisë duhet të jetë mishërimi i vlerave më të mira njerëzore dhe pasqyra ku qytetarët duhet të shohin shpresë, siguri, besim, humanizëm dhe shërbim cilësor”.

Xhojsi Lamaj, pasi ka gjetur në Rrugën e Kavajës, një portofol me vlera të konsiderueshme (franga, euro, lek) dhe sende personale, e ka dorëzuar portofolin në Komisariatin e Policisë Nr. 2. Menjëherë është njoftuar shtetasja që kishte humbur portofolin, e cila është paraqitur në këtë komisariat dhe pasi ka marrë nga punonjësja e Policisë, portofolin me gjithë shumë e parave dhe sendet personale, ka vlerësuar veprimin e punonjësit të Policisë dhe e ka falënderuar atë, pasi gjeste të tilla rrallë ndodhin.

Kursanti është falënderuar edhe nga drejtuesit e Akademisë së Sigurisë. Për të vlerësuar gjestin e kursantit Xhojsi Lamaj, rektori i Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro i ka akorduar dhe dorëzuar atij, Certifikatë Mirënjohjeje.

Loading...