Turistët e huaj të mahnitur me Vlorën: Plazhet janë parajsë!

Kryeministri i vendit Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook” përshtypjet e turistëve të huaj për udhëtimin e tyre në Vlorë.

Rama shkruan se Vlora këtë verë po pret turistë nga e gjithë Europa teksa shton se të gjithë janë të befasuar prej mikëpritjes, detit, por edhe plazheve sekrete të zbuluara gjatë udhëtimeve me anije.

“Mirëmëngjesi dhe me përshtypjet nga Vlora, e cila këtë verë po pret turistë nga e gjithë Europa, të befasuar prej mikpritjes, detit, por edhe plazheve sekrete të zbuluara gjatë udhëtimeve magjike me anije, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Dy turistë italianë përveç Vlorës, sugjerojnë që të vizitohet dhe Saranda me Ksamilin. Ndërsa nuk mund të linin pa përmendur edhe mikpritjen e shkëlqyer të shqiptarëve.

“Përshëndetje, kam ardhur para dy ditësh në Shqipëri dhe jemi në këtë plazh të bukur. Mikpritja e shqiptarëve ka qenë e shkëlqyer, po ndihemi shumë mirë.

Udhëtimin do ta vazhdojmë duke zbritur drejt jugut, duke shkuar në Ksamil, më pas në Berat dhe kthehemi në Tiranë, ku do të qëndrojmë 4-5 ditë të tjera dhe udhëtimi do të përfundojë këtu.

Në Vlorë është shumë bukur, plazhet janë shumë të bukura, po ju rekomandoj të vizitoni Ksamilin dhe Sarandën, pasi plazhet atje janë një parajsë”, thanë ata.

Loading...