Një projekt eksperimental që lidhet me sigurinë rrugore do të nis zbatimin në Itali, dhe parashikon që Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit t’i paguajë taksinë personave të dehur që dalin nga diskot dhe klubet e natës.
Eksperimenti do të nisë me 6 klube nate, të shpërndara në disa rajone të vendit dhe do të vijojë për periudhën nga gushti deri në mes të shtatorit.
Ministri Matteo Salvini nënshkroi një memorandum me shoqatat përfaqësuese të argëtimit gjatë natës duke pranuar që të financojnë për sigurinë e jetës së qytetarëve.
Ministria do të paguajë për ata që pas daljes nga disko, duke iu nënshtruar testit të alkoolit, kalojnë kufirin e caktuar për drejtimin e automjetit. Nisma për taksi falas për të shkuar në shtëpi në fund të mbrëmjes, në këtë rast eliminon ngarjen e makinës në gjendje të dehur dhe ul riskun për aksidente.
Vendet e argëtimit do të jenë ato që do të japin kuponin, pas një marrëveshjeje me taksistin lokal ose kompanitë e shërbimit taksi. Në fund të eksperimentit, do të jetë e mundur të vlerësohet efektiviteti i projektit dhe ndoshta të studiohet fleksibiliteti i tij kur të jetë plotësisht funksional.