Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka mbërritur në Vlorë bashkë me familjen e saj pasditen e kësaj të hëne. Nën masa të rrepta sigurie në portin e Vlorës, Meloni është pritur nga vetë kryeministri Rama, si dhe punonjës të konsullatës italiane, për ta shoqëruar më pas në vilën qeveritare në Vlorë, aty ku ishte parashikuar një vizitë.
Mësohet se Meloni ndërpreu pushimet e saj në një fermë në zonën e Puglias dhe u nis nga Brindizi me një traget linje drejt Vlorës bashkë me bashkëshortin Andrea Giambruno, vajzën Ginevra dhe motrën e saj Arianna e bashkëshortin Francesco Lollobrigida.
Mediat italiane thonë se kryeministrja ka pranuar ftesën e kryeministrit Rama për të vizituar Shqipërinë, ndërsa pritet të qëndrojë 2 deri në tre ditë në Vlorë. Ftesa e Ramës për Melonin ka qënë publike në interevistat e fundit dhënë për mediat italiane, ku fokusi ishte tek bumi i turistëve italianë drejt vendit tonë. Rama e ka quajtur Melonin ‘motra e vogël e Shqipërisë’.
Prej muajsh Shqipëria po përballet me bum turistësh nga e gjithë bota, përfshi edhe italianët, të cilët tërhiqen nga vendet magjepsëse dhe çmimet e lira. Kujtojmë se edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair ndodhet në Shqipëri. Ai mbërriti në Himarë me helikopter mbrëmjen e së dielës./TCh