36-vjeçari Erind Mrruku u arrestua sot nga policia në Kamëz pasi qarkullonte me pistoletë me fishek gati për qitje. Mrruku është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë pasi ka qenë i dënuar 11 vite më parë për vrasje me dashje.
Erind Mrruku ka vrarë në 2010 këngëtarin nga Lezha Fabian Nikajn vetëm pak metra larg komisariatit të policisë Lezhë.
Të rinjtë ishin konfrontuar verbalisht në një nga lokalet e Shëngjinit ndërsa molla e sherrit dyshohet se ka qenë një vajzë.
Më pas Erind Mrruku i cili dyshohet të ketë qenë i shoqëruar edhe nga disa djem të tjerë, ka ndjekur Nikajn me makinë deri në qytetin e Lezhës ku dhe e ka qëlluar me armë zjarri.
Kush ishte viktima
Reperi i lindur dhe rritur në Milot të Shqipërisë, Fabian Nikaj, u bë i njohur për publikun në vitin 2007.
Ishte pikërisht festivali “Top Fest” edicioni i katërt, kur ai u prezantua me këngën “Të dua” në bashkëpunim me Samanta Karavellën.
Në atë kohë, kjo këngë ishte nga më të dëgjuarat për shkak të muzikës dhe ritmeve që për atë kohë ishte diçka e re.
Edhe pse nuk arritën të futeshin në finale, Fabiani dhe Samanta fituan zemrat e publikut.
NGJARJA
Erind Mrruku banor i Kamzës, por i lindur në Lezhë, edhe viktima Fabian Mikaj ishte banor i qytetit të Lezhës. Viktima me shtetasin Marenglen Puka kanë pasur një konflikt me njëri-tjetrin në lidhje me shtetasen E.D, për të cilën shfaqnin interes të dy djemtë.
Marenglen Puka, në datën e ngjarjes, 22.07.2010 ishte në plazh së bashku me të gjykuarin Erind Mrruku dhe shtetasin Fatjon Përlesi, si dhe disa djem të tjerë. Rreth orës 20:30 Marengleni me automjetin e babait të tij tip “BMW”, kishte marrë shtetasin Ylli Tahiri, djali i dajës së tij dhe prej Ishullit Lezhë kishin shkuar në Shëngjin.
Gjatë rrugës shtetas këta janë ndeshur me viktimën, Fabian Nikaj, i cili udhëtonte gjithashtu në një automjet dhe i ka kërkuar shtetasit Marenglen që të hapë krahun e të fliste më të. Midis tyre ka pasur një debat të ashpër. Pas bisedës me të ndjerin Fabian shtetasi Marengleni i ka telefonuar të gjykuarit dhe kanë vendosur të takohen tek Lokal “Frojdi”. I gjykuari ka shkuar i shoqëruar nga shtetasi K.Preçi. Po në këtë vend ka shkuar edhe viktima Fabian i shoqëruar nga një shok i tij. Përsëri midis viktimës dhe shtetasit Mareglen ka nisur debati, pa arritur në konfrontim fizik. Në këtë debat është përfshirë i gjykuari Erind, i cili i ka kërkuar viktimës që të largohej nga lokali; i ndjeri Fabian së bashku me shokun që e shoqëronte është larguar duke thënë “hajt se do të takohemi”.
Rreth orës 23.00 grupi i djemve i përbërë nga shtetasit Marenglen Puka, i gjykuari Erind Mrruku, K.Preçi dhe Ylli Tahiri janë larguar nga lokal “Frojdi” dhe janë nisur në drejtim të Lezhës. Ata kanë udhëtuar në makina të ndryshme dhe janë bashkuar përsëri në afërsi të Piceri “Besa”. Pas tyre ka mbërritur edhe viktima Fabian i shoqëruar me dy persona të tjerë të paidentifikuar. Viktima ka tentuar që të komunikojë me të gjykuarin për konfliktin që kishte ndodhur rreth një orë më parë. Si i gjykuari ashtu edhe viktima u provua se kanë qenë të armatosur (viktima ka pasur armën model 54, nr.9675577 -66-1964, gjetur në vendngjarje, me të cilën nuk është realizuar qitje sipas aktit të ekspertimit balistik nr.6529, datë 22.07.2010). I gjykuari ka nxjerrë pistoletën që e mbante në çantën që kishte me vete dhe ka qëlluar mbi viktimën, Fabian, i cili është plagosur rëndë dhe ka gjetur vdekjen rrugës për në spitalin ushtarak.
Nga procesverbali i këqyrjes së kufomës rezulton se në trupin e tij ka disa plagë të shkaktuara nga armë zjarri, ndërsa shkaku i vdekjes ka qenë shoku i rëndë traumatik hemorragjik si pasojë e kalimit të predhave në trup.
I gjykuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të Koplikut dhe është dorëzuar të nesërmen e ngjarjes në polici.
Në këto rrethana, Prokuroria ka ngritur akuzën për veprën penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga N.76 dhe 278/2 të K.Penal.
I gjykuari, nëpërmjet mbrojtësit të tij, ka kërkuar të përjashtohet nga përgjegjësia penale për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, pasi pretendon se e ka kryer atë në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.
DËNIMI
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin nr.35, date 10.02.2011, ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Erind Mrruku për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 11 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Erind Mrruku për kryerjen e veprës penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 vit burgim.
Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve dënimin e të pandehurit Erind Mrruku me 11 vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit Erind Mrruku me 7 vjet e 4 muaj burgim.
Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e arrestimit 23.07.2010 të tij në burg të sigurisë së zakonshme.
Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin nr.229, datë 24.10.2011, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.35, datë 10.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs Prokurori i Prokurorisë së Apelit Shkodër, i cili kërkon ndryshimin e vendimit të mësipërm vetëm përsa i përket masës së dënimit; gjithashtu ka paraqitur rekurs i gjykuari Erind Mrruku, nëpërmjet përfaqësuesit të tij, i cili kërkon prishjen e pjesshme të vendimit dhe deklarimin e pafajshëm për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, pasi e ka kryer veprën në kushtet e mbrojtjes së nevojshme; dhe kanë parashtruar shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të vendimit.
Arsyetimi ligjor i vendimit të ankimuar
Gjykata e apelit e ka gjetur të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe arsyeton: “…rendi i veprimeve që i pandehuri ka bërë duke hapur zinxhirin e çantës, nxjerrë pistoletën, mbushur dhe qëlluar në drejtim të tij, tregojnë se të pandehurit i është dashur një kohë me e gjatë se të dëmtuarit, i cili i kishte të gjitha mundësitë që të qëllonte në drejtim të tij…duke pasur parasysh rrethanat e ngjarjes, faktin që ka qenë viktima ai që ka shkuar atje dhe jo i pandehuri, duke pasur parasysh moshën e të pandehurit, faktin se vepra është kryer nën ndikimin e provokimeve të viktimës, gjykata e apelit çmon se masa e dënimit të dhënë është në raport të drejtë me rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit dhe rrethanat e ngjarjes…”.
Në lidhje me rekursin e paraqitur
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se pretendimet e paraqitura në rekursin e Prokurorit janë të bazuara në ligj dhe si i tillë ai do të pranohet; pretendimet e parashtruara në rekursin e paraqitur nga mbrojtësi i të gjykuarit Erind Mrruku janë të pabazuara në ligj dhe si të tilla nuk do të pranohen dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Shkodër nr.229, datë 24.10.2011 dhe vendimi nr.35, datë 10.02.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë duhet të ndryshohen për sa i përket masës së dënimit ndaj të gjykuarit Erind Mrruku.
Në lidhje me pretendimin e paraqitur në rekursin e Prokurorit për masën e dënimit
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se ky pretendim është i bazuar. Veprat penale për të cilat është dënuar i gjykuari N.76 dhe 278/2 të K.Penal janë me rrezikshmëri shoqërore, nga të cilat cenohet jeta e shtetasit si një e drejtë natyrore dhe fondamentale si dhe rendi dhe siguria publike, nga veprime të kundërligjshme e shoqërisht të rrezikshme e konkretisht nga mbajtja dhe përdorimi pa lejen e organeve kompetente të armëve luftarake.
Gjykatat nuk kanë pasur në konsideratë rrezikshmërinë e lartë të veprës penale, e cila materializohet në llojin e marrëdhënieve juridike të cenuara, që siç e përmendëm janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të garantuar mbrojtjen e jetës si dhe rendin dhe sigurinë publike; sanksionin penal që përcakton dispozita, e cila është nga dhjetë deri në njëzet vjet burgim, deri në shtatë vjet burgim e gjobë për armëmbajtjen, si edhe rrezikshmërinë e autorit i cili ka qenë i përfshirë edhe herë të tjera në konflikte dhe mbante armë zjarri prej më shumë se tre vjetësh.
Në bazë të provave të shqyrtuara provohet se si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të të gjykuarit Erind Mrruku ka gjetur vdekjen shtetasi Fabian Mikaj, ç’ka përbën dhunim të së drejtës për të jetuar si një e drejtë natyrore nga e cila burojnë të gjitha të drejtat për qeniet njerëzore. Me shkaktimin në mënyrë të kundërligjshme të vdekjes i gjykuari duhet të përgjigjet për pasojën e rëndë të ardhur, duke ju nënshtruar sanksioneve penale që parashikon ligji penal material.
Duke marrë në konsideratë rrezikshmërinë e veprës, për shkak të marrëdhënieve që prek,dhe ndjeshmërinë e saj në shoqëri dhe rrezikshmërinë e autorit, pasojën e ardhur, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se masa e dënimit e vendosur nga gjykatat nuk është në përshtatje me veprën dhe autorin dhe do të rritet duke u dënuar me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim për veprën penale të “Vrasjes”, parashikuar nga N.76 i K.Penal.
Gjykatat e faktit në caktimin e masës së dënimit nuk kanë evidentuar ekzistencën e rrethanave lehtësuese nga ato të parashikuara nga neni 48 i Kodit Penal në favor të të gjykuarit Erind Mrruku, të cilat do ta orientonin drejt zbatimit të marzhit minimal të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Referimi i gjykatës në lidhje me rrethanat e faktit në lidhje me veprimet e të gjykuarit dhe të dëmtuarit nuk përbën në vetvete rrethanë lehtësuese, por shërben për të përcaktuar mekanizmin e ngjarjes që në rastin konkret nuk është interpretuar drejt nga të dy gjykatat përfshirja e të gjykuarit në grindjen, e cila më pas ka evoluar në goditjen me armë prej tij të viktimë,s nuk ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje midis tyre ç’ka nuk ka sjellë një provokim nga viktima të të gjykuarit.
Kolegji Penal vlerëson se identifikimi i rrethanave lehtësuese si një situatë ligjore nga ato të parashikuara nga norma penale dhe provueshmëria e tyre në lidhje me caktimin e llojit dhe masës së dënimit në arsyetimin e vendimit janë të detyrueshme për gjykatat që të evidentohen, me qëllim që gjatë kontrollit gjyqësor të vendimit në shkallët e tjera të gjykimit të vlerësohet ligjshmëria e vendimit në lidhje me këtë aspekt esencial të vendimmarrjes së gjykatës.
Siç ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.19, datë 01.06.2011, “Dënimi penal përmbush dy funksione të ndryshme, të cilat mund të konsiderohen si edukative. Nga njëra anë qëndron funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale, pasi kërcënimi se shteti do të zbatojë sanksione penale sa herë që shtetasit do të kryejnë veprime të dënueshme nga legjislacioni penal, funksionon si një mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar cilindo nga shtetasit që të ndërmarrë veprime që bien në kundërshtim me normat penale. Nga ana tjetër qëndron funksioni i parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale”.
Në lidhje me pretendimin se i pandehuri ka vepruar në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se ky pretendim është i pabazuar. Mbrojtja e nevojshme, sipas përcaktimit që i bën neni 19/1 i Kodit Penal , është rrethanë e cila përjashton personin nga përgjegjësia penale pavarësisht nga ardhja e një pasoje kriminale. Në vlerësimin e kësaj rrethane ka rëndësi analizimi sipas rrethanave konkrete të sulmit ndaj një marrëdhënie juridike të mbrojtur që ka lidhje me jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tjera të ligjshme në raport me kundërveprimin që duhet me qëllim shmangien e pasojës. Në interpretimin doktrinar është përcaktuar se sulmi duhet të jetë: i) nga veprimet e njeriut, ii) i padrejtë, iii) i çastit dhe iv) të mos ketë përfunduar.
Në bazë të provave të shqyrtuara në të dy shkallët e gjykimit del e provuar se i gjykuari Erind Mrruku, deri në momentin e reagimit ndaj viktimës Fabion, nuk ka qenë nën presionin e veprimeve të të ndjerit i cili të justifikohej si kundërveprim të tij ndaj sulmit të viktimës i cili po e sulmonte dhe të pretendonte se ka qenë duke vepruar në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Nga ana e të ndjerit nuk është kryer ndonjë veprim konkret, i cili të ketë pasur si qëllim marrjen e jetës apo dëmtimin e shëndetit të të gjykuarit nëpërmjet inicimit të ndonjë sulmi, pavarësisht se është provuar se edhe viktima ka qenë i armatosur.
Në lidhje me zgjidhjen e çështjes.
Bazuar në provat e administruara dhe,në aktet që ndodhen në fashikullin e gjykimit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arriti në përfundimin se pretendimet e parashtruara në rekursin e prokurorit janë të drejta. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e gjen vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, përsa i masës dënimit ndaj të gjykuarit Erind Mrruku, në zbatim të gabuar të ligjit material dhe si i tillë duhet të ndryshohet në lidhje me këtë pjesë.
Në këtë përfundim u arrit pasi rrethanat e kryerjes së veprës penale për të cilën është deklaruar fajtor dhe dënuar i gjykuari, qëndrimi i tij pas kryerjes së saj, tregojnë për shkallë rrezikshmërie jo të vogël të vetë të gjykuarit, ashtu edhe të veprave.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 441/1, gërma “b” të K.Pr.Penale,
VENDOSI
Ndryshimin e vendimit nr.229, date 24.10.2011 i Gjykatës së Apelit Shkodër dhe vendimit nr.35, datë 10.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë në këtë mënyrë:
Deklarimin fajtor të të gjykuarit Erind Mrruku për kryerjen e veprës penale te “Vrasjes me dashje”, të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të gjykuarit Erind Mrruku për kryerjen e veprës penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal dënimin e të gjykuarit me një dënim të vetëm me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, ulet 1/3 e dënimit dhe e dënon përfundimisht të gjykuarin Erind Mrruku me 10 (dhjetë) vjet burgim.
Lënien në fuqi të vendimit për pjesët e tjera të dënimit