Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për mediat ka dhënë detaje për megaoperacionin anti-drogë, në sajë të të cilit janë vënë në pranga qindra persona.
Ai deklaroi se hetimet për këtë operacion kanë nisur prej 8 muajsh, ndërsa janë iniciuar për goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave.
Në sajë të megaoperacionit “Tempulli” janë sekuestruar mbi 800 kg kanabis, mbi 60 kg heroinë, mbi 15 kg kokainë dhe ekstazi. Sakaq janë proceduar në gjendje të lirë mbi 1 mijë persona, janë lëshuar 296 masa arresti me burg, 214 masa sigurie, 19 arrestime në flagrancë, 82 të shpallur në kërkim si dhe janë lëshuar 356 urdhra për kontrolle në banesa e ambiente të tjera.
Rrumbullaku tha se pjesa më e madhe e të arrestuarve, u përkasin 23 grupeve kriminale në vend.
Fjala e plotë:
Këtë 8-mujor janë sekuestruar 829 kg kanabis, një pjesë e saj e përpunuar në formë çokollate, 61.5 kg heroinë, 15.5 kg kokainë dhe 5.2 kg ekstazi.
Gjatë 8-mujorit të këtij viti, nga strukturat vendore të Policisë janë referuar 170 hetime proaktive për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, nga të cilat, në bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë respektive, janë finalizuar 38.
Gjithashtu, në kuadër të vlerësimit të informacioneve të siguruara nga strukturat operacionale të Policisë (Patrulla e Përgjithshme dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”), janë finalizuar në kushtet e flagrancës, 116 operacione, me përfshirjen e 2 ose 3 shtetasve, si shpërndarës.
Për këto hetime dhe goditje, janë arrestuar, ndaluar ose proceduar në gjendje të lirë 1541 shtetas, për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, në lokale nate, bare, blloqe banimi dhe në zonat bregdetare, gjatë sezonit turistik.
Krahas sasive të mëdha të drogave të forta apo të kanabisit, gjatë operacioneve janë sekuestruar mijëra doza kokaine, heroine, ekstazi, metadon, opium, fara kanabisi dhe sasi të lëndëve të tjera narkotike sintetike.
Për të mos humbur fokusin e kësaj konference, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vetë faktin se megaoperacioni i sotëm lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të familjeve tona, siç është deklaruar për qytetarët, nga Ministri i Brendshëm, muaji shtator do të shënojë një ridimensionim të luftës kundër fenomeneve që cenojnë shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Gjatë këtij megaoperacioni, janë identifikuar qindra shtetas që nëpërmjet veprimtarisë së tyre kriminale, tentojnë të infektojnë tempujt e dijes në të gjithë vendin dhe për këtë arsye megaoperacioni i sotëm është vërtet një goditje e fortë kundër këtij fenomeni.
Në kuadër të 170 hetimeve proaktive te iniciuara gjatë këtij 8-mujori, janë finalizuar 32 operacione, ndërsa gjatë paradites së sotme janë finalizuar rreth 50% e hetimeve të tjera proaktive, me mbështetjen e prokurorive të Juridiskionit të Përgjithshëm në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Fier, Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës.
Iniciimi i hetimeve proaktive të përbashkëta, në bazë autorizimeve të lëshuara nga prokurorët e çështjeve në të gjithë vendin, është përmbyllur me sukses duke siguruar provat ligjore dhe duke dokumentuar përfshirjen në aktivitetin kriminal të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike, për një numër të konsiderueshëm shtetasish të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Bazuar në aktet procedurale dhe provat e siguruara nga prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe gjykatat respektive, në të gjithë vendin:
• Janë miratuar 296 masa sigurie;
• Janë miratuar 356 vendime për kontroll banesash dhe ambientesh të tjera;
• Janë ekzekutuar 214 masa sigurie;
• Janë arrestuar ne flagrancë, gjatë kontrolleve, 19 shtetas;
• Janë shpallur në kerkim 82 shtetas;
• Pjesa më e madhe e shtetasve të arrestuar janë pjesë e 23 grupeve kriminale.
Gjatë këtij megaoperacioni janë sekuestruar provat materiale:
• Lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe cannabis sativa;
• Armë zjarri dhe armë të ftohta;
• Automjete, celularë, vlera monetare dhe mjete të ndryshme që shërbenin për peshimin, paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Të dhënat e detajuara për provat materiale të sekuestruara, do të jepen më vonë, pasi në të gjithë vendin vijojnë veprimet procedurale per sekuestrimin e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm në vend, me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe me 12 drejtoritë vendore të Policisë, organizuan planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë dhe të vendimeve të kontrollit.
Nga ky megaoperacion i zhvilluar në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e shtetasve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, është bërë e mundur goditja dhe shkatërrimi i 23 grupeve kriminale që vepronin qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.
Në suksesin e këtij megaoperacioni, një rol të veçantë merr bashkëpunimi i ngushtë, korrekt e profesional, me drejtuesit e prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, me prokurorët e çështjeve dhe me drejtuesit e strukturave hetimore në drejtoritë vendore të Policisë. Hetime të tilla tregojnë edhe një herë se kur ka vullnet dhe institucionet ligjzbatuese bashkëpunojnë në klimë besimi, rezultatet janë gjithmonë në favor të qytetarëve dhe në dëm të krimit.
Edhe në këtë megaoperacion, ashtu si në operacione të zhvilluara më parë, vlen të theksohet shkalla e lartë e vështirësisë dhe e rrezikshmërisë, si dhe profesionalizmi dhe ruajtja e sekretit profesional dhe atij policor ishin maksimalë. Si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoj drejtuesit vendorë të Policisë dhe gjithë personelin e strukturave policore që morën pjesë në këtë megaoperacion, për përkushtimin, angazhimin dhe profesionalizmin e treguar.
Policia e Shtetit është e përfshirë edhe në hetime të tjera proaktive, bazuar në fenomene kriminale që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me prokuroritë respektive, si dhe është drejt finalizimit të megaoperacioneve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, për të goditur fenomenet kriminale që shfaqen në të gjitha fushat.
Dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit po vijon punën me përkushtim dhe me angazhim maksimal, për të krijuar një ambient më të sigurtë për fëmijët tanë dhe për mbarë shoqërinë.
Në këtë kuadër, përfitoj nga rasti që të ftoj aleatin tonë kryesor qytetarin, që të ketë besim dhe të bashkëpunojmë, për të parandaluar dhe për për të goditur paligjshmëritë, si dhe për të ndëshkuar dhe për të nxjerrë nga radhët e Policisë, cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën dhe cenon të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, që korruptohet dhe nuk reagon në kohë për problematikat e adresuara nga qytetarët që kërkojnë zgjidhje nga Policia.