‘Do shkoja në Ksamil të shisja prona, nuk e dija që çanta kishte mina’

Petrit Ndoji, 51 vjeçari nga Lezha që u kap tre ditë më parë në Vlorë duke transportuar mina, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Kështu kanë vendosur këtë të premte togat e zeza të qytetit bregdetar.

Hetimet drejtohen nga prokurori Anton Pali, ndërsa gjyqtare e seancës paraprake është caktuar Lirza Sinollari.

Gjyqi për caktimin e masës së sigurisë është mbajtur me dyer të mbyllura, për shkak të hetimeve që po zhvillohen për të zbuluar destinacionin e minave me telekomandë dhe nëse Petrit Ndoji ka pasur dijeni, se cili ka qenë objektivi.

51 vjeçari e kishte fshehur qesen me lëndë plasëse C4 në kroskotin e mjetit që drejtonte dhe u prangos nga Forca Operacionale në hyrje të Vlorës.

Megjithatë, i arrestuari ka pretenduar para gjyqtares dhe prokurorit se i kishin ngritur kurth persona të njohur, bashkë me bashkëpunëtorët e Policisë. Sipas Petrit Ndojit, ai e kishte marrë qesen në Vorë dhe nuk e dinte se çfarë kishte brenda.

Si destinacion final, lezhjani ka thënë se kishte Ksamilin ku do të merrej me shitje pronash. Për shkak se rasti është nën hetim dhe detajet janë të pakta, ndaj nuk dihet nëse dhe minat kishin destinacion Vlorën apo Ksamilin ku do të shkonte Petrit Ndoji.

Loading...