Censusi: Ja sa gjobitesh nëse jep informacion të pasaktë

Në mënyrë digjitale përmes një tableti të tillë po mblidhen të dhënat për popullsinë dhe banesat në Shqipëri. Nga ky 18 Shtator, mbi 5000 anketues kanë nisur punën në terren. Pyetësori digjital përmban 100 pyetje.

Olta Kacorri, anketuese: Ky është tableti ku ne regjistrojmë dhe hedhim të gjitha informacionet që mbledhim. Për plotësimin e formularit, për një person duhen 5-7 minuta kohë.

Tv Klan ndoqi nga afër sesi po bëhet mbledhja e të dhënave derë më derë.

Olta Kacorri, anketuese: Trokasim në çdo shtëpi për të mbledhur informacione përsa i përket ndërtesës, banesës dhe Njësive Ekonomike Familjare që ndodhen në këtë banesë.

Mund të ndodhë që në banesë anketuesi të mos gjejë asnjë familjar.

Olta Kacorri: Në këtë moment, ne vendosim poshtë derës këtë letërnjoftim me numrin tonë të telefonit. Ne lëmë një orar që të rikthehemi përsëri.

Kur të gjitha përpjekjet shterohen, për qytetarin që nuk e ka plotësuar pyetësorin parashikohet gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë Lekë.

Elsa Dhuli: Është i detyrueshëm përgjigjia e pyetësorit, për pyetje, të cilat janë konsideruar të detyrueshme.

Në ditën e parë të nisjes së Censit, Drejtoresha e INSTAT thotë se janë plotësuar mbi 800 pyetësorë.

Elsa Dhuli: Intervistat do të vazhdojnë edhe pasdite për të mundësuar kontaktimin me qytetarët, të cilët gjatë paradites kanë qenë të angazhuar me punë.

Mbledhja e të dhënave të popullsisë dhe banesave do të zgjasë për 6 javë për të përfunduar më 28 Tetor. Rezultatet e para të Censit pritet të publikohen në Qershor të vitit 2024.

Loading...