Pastor Akil Pano: ‘Feja e shqiptarit nuk është shqiptaria’

Akil Pano ka reaguar, pas deklaratës së biznesmenit Gjergj Luca, i cili u bënte thirrje shqiptarëve të mos deklarojnë asnjë fe në censin e popullsisë që ka nisur ditën e sotme, por të deklarojnë se janë shqiptarë.

Pastori thotë se “feja e shqiptarit nuk është shqiptaria” dhe se kjo thirrje e Lucës na kthen në komunizëm, madje i bën thirrje biznesmenit “që të ketë kujdes, vëmendje dhe më shumë informacion”.

Reagimi i Pastorit:

Thirrja e Lucës, kthim në Komunizëm

Thirrja e Lucës që Shqiptarët të mos prononcohen për fenë por tek kategoria e përkatësisë fetare të deklarohen vetëm ‘Shqiptarë’ na kthen tek reminishencat e së shkuarës komuniste.
Populisti Luca na kthen pas tek koha e etërve komunistë të cilët e degjeneruan fenë në çdo formë. Lufta ndaj fesë nisi me përbaltjen e figurave të larta të klerit si bashkëpunëtorë me armikun. Ndërsa pjesa dërmuese e përfaqësuesve të klerit ishin kapacitete të larta intelektuale, regjimi komunist i lidhi me injorancën dhe prapambetjen. Përbaltja e figurave dhe personaliteteve fetare ishte vetëm fillimi i projektit komunist. Më pas ideologjia marksiste, çensura, burgimet, shkatërrimi i objekteve të kultit dhe ligji kushtetues për ndalimin kategorik të fesë në Shqipëri.

‘Mjeshtri i peshkut’ të bëjë kujdes kur prononcohet për fenë e Shqiptarëve dhe veçanërisht kur bën thirrje publike të këtij lloji, pasi zgjon tek shqiptarët kujtimin e dhimbjes, dhunës, burgosjes dhe martirizimit të njerëzve të fesë.
Feja e Shqiptarit nuk është shqiptaria o Luc.
Pashko Vasa ose Vaso Pasha në poezinë e tij i bënte thirrje Shqiptarëve për bashkim, në një kohë dhe kontekst të caktuar për vendin që të gjithë e njohim.
Thirrja e tij nuk ishte kërkesë për mosidentifikim të shqiptarëve në kuadrin fetar, por thirrje për bashkim kombëtar.

Sot shqiptarët janë Muslimanë, Katolikë, Orthodhoksë, Bektashinj, Ungjillorë/Protestantë (për këtë deklarove se ishe i paditur e për padijen nuk të bëj me faj). Janë këto pesë fe të cilat njihen zyrtarisht nga shteti shqiptar përmes marrëveshjeve të ratifikuara në Kuvendin e Shqipërisë, marrëveshje të cilat u japin këtyre komuniteteve besimi statusin e bashkësive fetare të njohura nga shteti si të tilla.

Ungjillorët/Protestantët janë themeluar si bashkësi fetare në Shqipëri në vitin 1892 nën siglën ‘Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.’ Por dhe këtë ti nuk e di dhe s’të bëj me faj. Kjo është një çështje që duhet të shqetësojë më shumë Ungjillorët.
Problemi në thirrjen tënde nuk është se ti s’di asgjë për Ungjillorët dhe kontributet e tyre në Shqipëri që lidhen me fenë, gjuhën shqipe, arsimin, etj. Problemi yt mjeshtër është thirrja që shqiptarët mos të deklarojnë identitetin e tyre fetar.

Kjo na kthen në të shkuarën tragjike kombëtare, komunizmin shqiptar. Modelin suigeneris që shoku Enver ngriti në shoqërinë shqiptare, pasi më parë likuidoi fenë dhe lirinë. Ndaj, miqësisht të lutem herën tjetër, pak më shumë kujdes, pak më shumë vëmendje dhe natyrisht më shumë informacion.
Miqësisht, pastori!

Loading...