Më 19 janar 2022 familja Islami në Elbasan u përball me një tragjedi të madhe, fëmija i tyre Ajsi Islami 2 vjeçe ndërroi jetën në spitalin e Elbasanit, dy ditë pasi prindërit e kishin vizituar dhe i kishin dhënë ilaçet që doktori Gentjan Alla i rekomandoi pasi kishte vizituar vajzën.
“Fëmija kishte shqetësim, e çova te mjeku i përgjithshëm në Elbasan, e vizitoi. I thashë doktorit shikoje mirë se mos ketë bajamet, e vizitoi dhe më tha nuk ka asgjë virozë është. I mbushi një recetë dhe siç isha me vajzën dhe nusen vajta direkt në farmaci dhe mora ilaçet dhe mbajta edhe recetën dhe ika në shtëpi. Të martën vajza bëhet keq, e marr e çoj në spital, temperaturë vajza nuk kishte 36.7. Infermieret i bënë serum, goca u bë akull, dy orë vajza në spital, vdiq. Se pse nuk më thanë.”, u shpreh babai.
Kur kanë kaluar 1 vit e 8 muaj nga ngjarja, babai i Ajsit, Agim Islami endet nëpër dyert e organeve të drejtësisë dhe kërkon që të bëhet drejtësi për vajzën e tij. Ai shprehet se organet e drejtësisë e kanë neglizhuar rastin dhe se mjeku që sipas tij i dha mjekimin e gabuar vajzës vijon të jetë ende në punë dhe organet e drejtësisë nuk kanë vepruar ende.
“U arrestua për momentin, pastaj nuk e di, ai është në punë. Fëmija nuk pati asnjë lloj sëmundje, i kemi marrë të gjitha, i ka avokati, me vaksinim dhe kartelë mjekësore, nuk kishte asnjë anomali vajza. Ne dyshojmë vetëm te ilaçet që i dha doktori, i ka dhënë ilaçe të gabuara”, tha babai.
Sipas avokatit mjekimi I gabuar nga mjeku është I faktuar me prova nga receta mjekësore.
“Unë pres që të hapet seanca gjyqësore sepse aty do të shpalosim pretendimet tona mbi atë mjekim të gabuar të kryer nga mjeku Gentjan Alla, sepse vetë receta e komprometon këtë mjek nëpërmjet ilaçit që i ka dhënë azeltinë 200mg e cila është për azmë dhe sipas udhëzuesit të mjekimit nuk është për fëmijët 2 vjeç. Mjeku atë recetë ia ka dhënë në mënyrë të kundraligjshme sepse ai ilaç jepet për të rritur dhe për moshat e mëdha nëse jepet duhet të jesh nën kontrollin e mjekut”, shprehet avokati.
Babai shprehet se ende nuk është hapur gjyqi dhe se po e zvarrisin çështjen, ndërsa Avokati tregon se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga organet e drejtësisë.
“Unë si prind nuk kam akoma një përgjigje se pse më vdiq fëmija. Kemi dorëzuar letrat për gjyq, asnjë nuk përgjigjet, ka 1 vit e gjysmë që kemi çuar të gjitha dokumentet me avokatin në gjykatën e Elbasanit, por gjyqi nuk hapet.”, shprehet babai.
“Deri më sot nuk ka dalë data e gjyqi, nuk kemi asnjë përgjigje apo provë nga prokuroria nga ekspertizat të bëra nga mjekësia ligjore. Kemi bërë të gjitha kërkesat për të na vënë dispozicion të gjithë rezultatet e ekspertizës mjekësore, si dhe autopsinë, por asnjë veri deri më sot nga Prokuroria. Kemi kontaktuar me prokurorin Aliçka në Elbasan, dhe tha ‘pse e sjell babanë, eja vetë të marrë informacion. Por s’ka ende informacion’. Pra indinjohet pse vjen babai dhe kërkon informacion”, u shpreh avokati.
Me lot në sy Agim Islami bën apel shteti që të bëhet drejtësi për vajzën e tij.
“Ne kërkojmë të flasim, por inshalla na dëgjojnë. I bëj apel që t’i japin zgjidhje… pavarësisht mua më iku syri, nuk vjen më, por të ndihem edhe unë i qetë. Mjerë atij që i bie. I bëj thirrje kryeministrit. Po të ishte fëmija i tyre? Me farefis do përfundonte doktori në burg… nuk di çfarë të them më tepër. Ne e dimë që jetojmë në Shqipëri, por jo dhe kaq… edhe ku? Tek fëmija. Çfarë të bëjmë, për njeriun qenkan të gjitha”, u shpreh ai me zërin që i dridhej.