Lëshohen 15 urdhër arreste në të gjithë vendin

Një operacion i madh policor po zhvillohet në disa qytete të vendit. Klan News raporton se me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit janë lëshuar 15 urdhër-arreste. Sipas të njëjtave burime janë zbardhur 6 vrasje. Ngjarjet kriminale të kryera ndër vite janë zbardhur nga Artan Tafani, i cili është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.

Ai ka rrëfyer se vrasjet janë kryer në Greqi, Tiranë, Elbasan dhe Berat. Sipas të njëjtave burime, në mesin e personave që Tafani ka përmendur si autorë vrasjesh, janë edhe emra të njohur të botës së krimit. Që prej identifikimit policia ka pasur dyshime të përfshirjes së Tafanit në aktivitet të theksuar kriminal, pjesë e një grupi me bazë në disa qytete.

Ai ishte mbajtur në vëzhgim për disa kohë dhe më pas është ndërhyrë për arrestimin e tij. Kapja e tij është mbajtur sekret për shkak të hetimeve dhe rrëfimeve që po bënte për ngjarjet kriminale. Artan Tafani u arrestua disa ditë më parë nga Policia e Lushnjes, pasi ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes së një pike të këmbimit valutor në zonën e Astirit në Tiranë. Operacioni është në vijim dhe në shumë akse kombëtare e qytete ka pika të shumta kontrolli për kapjen e personave në kërkim. /Marrë nga Tv Klan

Loading...