Emisioni Stop në Tv Klan ka marrë denoncim nga një qytetare për klinikën dentare “Risus” në Tiranë dhe çiftin e stomatologëve Enerjeta dhe Julian Sulaj.
Denoncuesja tregon se këta dy dentistë i kanë shkaktuar dëm shëndetësor. Ajo kishte një dhëmballë për të mbushur dhe stomatologët në fjalë i sugjeruan vënien e një këllëfi zirkoni për këtë dhëmballë dhe dy të tjerë, me një vlerë 600 Euro gjithsej.
“Kam një problem shëndetësor, bëhet fjalë për klinikën dentare Risus me dentist z.Julian Sulaj dhe asistente bashkëshorten e tij Enerjeta Sulaj. Jam paraqitur atje në datën 29 Maj 2023 me një dhëmballë të ndarë në dy pjesë, e cila ishte dhe e mbushur. Pas konsultës, të dy bashkëshortët më sugjeruan që kjo dhëmballë do të pastrohej dhe me anë të një vide që do e mbante dhëmballën bashkë, nuk ishte nevoja që të hiqej dhe kishte nevojë për këllëf zirkoni. Madje më sugjeruan që jo vetëm kjo dhëmballë, por edhe dy të tjera duhet të shpëtoheshin sa më parë me këllëf zirkoni. Pasi më thanë që kjo kushtonte 200 Euro këllëfi për një dhëmballë, ramë dakord që t’i bëjmë të treja. Po atë ditë filluam punë, nuk më kërkuan asnjë grafi dhe madje dhe mua m’u duk e çuditshme. Unë mendova se isha në duar të profesionistëve dhe duke mos e njohur mirë këtë fushë, rashë dakord. Filluam atë ditë dhe vazhduam deri në datë 2 Qershor. Të treja dhëmballët me këllëf zirkoni dhe pa asnjë plotësim formulari nga ana ime me të dhënat e mia shëndetësore dhe të tjera personale. Unë nuk kam plotësuar asnjë formular dhe nuk kam firmosur asnjë shkresë në këtë klinikë. Pasi mbaroi trajtimi i të tre dhëmballëve, këmbëngula që të merrja një faturë sepse 50% të pagesës ma kompensonte puna dhe nuk e di nëse këtu dallohet emri i firmës sepse unë për vete nuk dalloj”, thotë denoncuesja.
Pas trajtimit, pacientes i nisi një dhimbje dhe dentisti i bëri grafi dhe konstatoi infeksion të përhapur. Por në fakt grafia duhet të ishte bërë që para nisjes së trajtimit të gojës.
“Javët e para nuk kisha probleme. Problemet filluan më pak se 2 muaj. Nga njëra nga dhëmballët kisha shumë dhimbje dhe telefonova stomatologun Julian Sulaj dhe e pyete se çfarë mund të kishte ndodhur në këtë rast. Pas kaq kohe më sugjeroi që të bëja një grafi. Grafinë e bëra më 13 Shtator 2023. Pasi e pa më tha që ka infeksion në rrënjë dhe duhet ta heqim. Sipas grafisë, kanalet nuk janë pastruar dhe rrënja ka qenë me infeksion që në fillim dhe kjo ka ndodhur me të 3 dhëmballët sepse kjo vihet re dhe te grafia e të gjithë gojës. Dhimbja vazhdon edhe te dy dhëmballët e tjera të cilat janë veshur me zirkon. Unë kam çuar asnjë grafi dhe mua nuk më është kërkuar asnjë grafi. Asistentja që është edhe bashkëshortja e tij, Enerjeta Sulaj, tha kjo është e pafalshme nga ana jonë që nuk të kërkuam një grafi dhe filluam të të trajtonim pa një grafi”, vijon denoncimi i qytetares.
Kur denoncuesja foli me dentistin, ai nuk e sqaroi e as i ktheu paratë, por i bëri bllok në telefon.
“Fillimisht shkova te Juliaj Sulaj sepse ishte ai që më trajtoi dhëmballën dhe më pas u drejtova dhe te disa dentistë të tjerë të cilët i gjeta te lista e Urdhrit të Stomatologut në internet. Më thanë që ka qenë komplet gabim trajtimi nga e para, që më thanë ky është një keqtrajtim jo trajtim. Sepse dhëmballët, gjëja e parë që një dentist kërkon është në grafi. E para fare, bëhet pastrimi i kanaleve dhe i rrënjës. Sepse në qoftë se një dhëmballë ka infeksion ose probleme të tjera, nuk mund t’i vendosësh sipër një këllëf zirkoni dhe ta izolosh komplet. Kjo i përkeqëson gjërat dhe sigurisht do fillojë procedura nga e para, çka unë do bëj tani. Prandaj kjo arriti deri në atë pikë që kur unë u paraqita te Julian Sulaj më tha që kjo hiqet me patjetër sepse ka infeksion. Hoqi këllëfin e zirkonit dhe kjo është si të shkatërrosh një pallat, shumë e fortë, e gjitha si procedurë, me 3 gjilpëra anestezi edhe e qepi. Pra unë këtë e quaj kirurgji dhe më dha një recetë me antibiotikë të cilën unë jam duke e marrë aktualisht. Dhimbja vazhdon tek të 3 dhëmbët, gjëndja ime normalisht e enjtur pas heqjes së dhëmballës. Dhimbja vazhdon, u përpoqa të kontaktoja me doktor Julian Sulaj, e pyeta atë çfarë dentistët e tjerë më pyetën mua, nëse kur më hoqi dhëmballën ai më vendosi mua lëng kockor, sepse kjo dhëmballë që u hoq do vendoset implant tani. Përgjigjia e tij ishte: “E shikoj që po kërkon llogari aty ku nuk të takon. Është hera e parë dhe e fundit që të sqaroj. Dhëmballën ku të është hequr të është vënë graft kockor me kolagjen dhe jo lëng frutash”. Unë kërkoj nga ata kostot e keqtrajtimit që unë të mund t’i trajtoj dhëmbët e mi nga e para”, shprehet denoncuesja.
Emisioni Stop u konsultua me një specialist të fushës, i cili sqaron se grafia është gjëja e parë që duhet bërë në çdo procedurë. Më pas, duhet të bëhej pastrimi deri në detaj i kanalit të dhëmbit, gjë që do të përfundonte me vendosjen e këllëfit të zirkonit. Tani qytetares i duhet trajtim nga fillimi.
“Si fillim pacientit i merret një konsent, a ka probleme shëndetësore apo jo dhe historiku nga i ka ardhur shqetësimi. Bëhet një grafi kontrolli fillimisht në gjendjen siç është fillestare. Në rastin konkret duhej bërë një trajtim duke shkuar deri në majën e apeksit mbushja. Ndërkohë këtu nuk është bërë, është vendosur një vidë për riforcim kurore duke qenë se më përpara mund të ketë qenë e destruktuar kurora. Pasi të bëhet kjo procedurë bëhet pastrimi kanalar komplet deri në fund ku duhet të shkojë mbushja deri te apeksi. Në këtë situatë është infeksion shumë i madh ku duhet të hiqet. Është hequr dhëmbi. Pas heqjes së dhëmbit bëhet rigjenerimi kockor nga vetë organizmi i njeriut në këtë rast. Pas 3-6 muaj mund të vendosi një implant dentar. Përsa i përket dhëmbit tjetër, pjesës së poshtme, duhet të shkonte mbushja deri në fund ku rrënja distale ka filluar të ketë problematikat e veta. Dhe i treti duhet të shikohet me anë të një 3D-je, pasi 2D-ja nuk e tregon mirë pjesën e rrënjës. Pacientja duhet të presi 3-6 muaj që të bëhet regjenerimi i kockës, pastaj mund të vendosë një implant dentar dhe është ok për pjesën e këtij dhëmbit. Kurse për pjesën e këtij dhëmbit këtu thjesht duhet hequr kurora e zirkonit, duhet bërë trajtimi kanalar deri në fund fare dhe është totalisht i shpëtueshëm ky si dhëmb, edhe mund të ripërdoret po kurora e njëjta e zirkonit që është përdorur më parë. Edhe kjo dhëmballë e sipërme mund të trajtohet komplet me anë të trajtimit kanalar”, sqaron specialisti.
Tani qytetares i duhet trajtim nga fillimi pasi të ketë kaluar periudha 3-6 mujore./tvklan.al