Zbardhet skema që çoi 4 në pranga, si u mashtrua biznesmeni për 70 mijë euro/ Kush është supermashtruesi që prezantohej në emër të Erion Veliajt

Forcat e policisë së Komisariatit nr. 6 në Tiranë goditën një skemë tjetër mashtrimi të një grupi ku 6 persona që hiqeshin si zyrtarë të lartë kanë mashtruar një biznesmen, duke i kërkuar shuma të mëdha parash.

Në skenë ka dalë sërish emri i Florjan Gjergjit, i shumëkërkuari i shpallur në kërkim edhe për 4 raste të tjera. Policia tha se 4 persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim si të akuzuar për skemë mashtrimi në Tiranë. Në pranga kanë përfunduar: Xhonatan Xhaferri, Leonard Xhika, Petro Ferzaj, Mikel Panxhi. Në kërkim Xhensil Qefa e Florian Gjergji 40 vjeç, i cili rezulton se është dhe personi që organizoi skemën e zhvatjes.

Duke përdorur emrin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Florian Gjergji dhe grupi i tij kanë tentuar të mashtrojnë biznesmenin e ndërtimeve, Aleksandër Gavoçi, për të përfituar shumën 70 mijë euro. Sipas hetimit është zbuluar se Florian Gjergji, iu shkruan biznesmenëve në aplikacionin Telegram dhe iu prezantohej si zyrtar i lartë.

Ai iu thotë se ka lidhje të afërta dhe të ngushta me politikanë, ministra apo kryebashkiakë dhe u premton marrjen e tenderëve publikë duke iu kërkuar shuma të mëdha monetare si këmbim. Florian Gjergji, konsiderohet nga Policia e Tiranës si njeriu që ka organizuar në shumë raste skemën e mashtrimit duke u prezantuar si zyrtar i lartë.

Prej muajit janar 2023, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë dhe prej 5 muaj ai nuk është mundur të kapet nga policia e kryeqytetit dhe dyshohet se ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Loading...