Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja tragjike në Greqi ku humbi jetën Lubiana, 50-vjeçarja shqiptare e vdiq teksa po pastronte një makineri që grinte mishin.
Gazetari Artur Bibe ka deklaruar se policia po heton për vrasje me dashje, për shkak se dikush e ka vënë në punë makinerinë që gruaja po pastronte, në një kohë kur ajo duhet të ishte e fikur.
Makineria fillimisht i ka kapur flokët 50-vjeçares dhe më pas pjesën e qafës.
Dy fëmijët po marrin ndihmë nga autoritet, teksa janë shoqëruar edhe nga një psikolog për të kaluar traumën që përjetuan, pasi ata e panë nënë e tyre të vdekur të parët. Vendi ku punonte gruaja ishte shumë pranë shtëpisë së tyre.
“Raportohet se është një ngjarje aksidentale, që dikush ka ndezur makinerinë që zonja po pastronte. Hetimi po bëhet nëse ka qenë vrasje me dashje, pasi makineria nuk duhet të ishte e ndezur në atë moment. Teksa gruaja ishte duke pastruar, makineria është ndezur dhe i ka kapur fillimisht flokët dhe pastaj, i ka prekur qafën, ajo ka futur dorën për të ndaluar makinerinë por nuk ka mundur dhe ka ndërruar jetë”, tha gazetari.
Ndërkohë dy ditë më parë, babai i kasapit të dyqanit ku humbi jetën 50-vjeçarja tha për mediet se vajza e Lubianës ka kthyer çelësin e sigurisë dhe e ka ndezur makinerinë.
“Ka një çelës sigurie, ka një të përgjithshëm. Ne gjithmonë sigurohemi që çelësi i sigurisë të jetë i ulur për të gjithë makinat. Siguria ishte ulur, por vajza e ka kthyer atë nga ana tjetër. Mesa duket ka shtypur butonin dhe ndodhi ajo që ndodhi.”, tha babai i pronarit për mediat greke.
Gruaja prej dy vitesh jetonte në Mesolongji me dy fëmijët e saj, vajzën 18-vjeçare dhe djalin 10-vjeçar, kur erdhi nga Shqipëria, pas ndarjes me bashkëshortin. Sipas informacioneve, ajo jetonte në shtëpi edhe me nënën e saj. Trupi i gruas fatkeqe u dërgua në Patra për autopsi, ndërsa varrimi pritet të bëhet në ditët në vijim në Evinochori./Albeu.com