Prej 6 muajsh tashmë, familja e gazetarit të njohur sportiv Dëfrim Met`hasani po përballet me një makth të vërtetë. Gjatë kësaj periudhe, vajza e tij, Luna, po kurohet në Berlin të Gjermanisë për një sëmundje të rëndë.
Ndërsa jeta e gazetarit është ndarë mes Berlinit dhe Tiranës, ai ka gjetur mundësinë të kthehet në vendlindje, Dibër, ku dhe është përballur me një surprizë të bukur. Defrimit iu dhurua një pikturë me portretin e vajzës, për të cilin gazetari shkruan se iu duk si një fletë – dalje nga spitali dhe kthim në shtëpi i vajzës.
“Post veprimtarisë shumë emocionuese :”Rikthim në fëmijëri” realizuar me shumë sukses në Shkolla Ajet Ndreu në Sllovë të Dibrës, një dhuratë surprizë më përloti dhe më la pa fjalë… Kolegu dhe miku im i mirë Isuf Myrtaj, kish realizuar mjeshtërisht me piktorin Avni Çela, një vepër artistike dedikuar vajzës sime Luna D. Methasani e cila prej gjashtë muajsh ndodhet për kurim në Berlin të Gjermanisë. Mu duk se piktura ishte fletë-dalja nga spitali dhe rikthimi i saj në shtëpi.
Shumë falenderime Isuf ty për idenë, mendimin dhe gjestin, piktorit duar artë për punën e bukur, por dhe miqve gazetarë Bashkim Tufa, Rrok Preçi, Moisi Dalipaj, Altin Sulce, Eno Skarço dhe Jonuz Hallaci, që erdhët nga Tirana dhe ishit të pranishëm në ish shkollën ku unë mësova dhe mora të parën dashuri për njerëzit dhe vendin, duke dashur ti rikthej respektin dhe mirënjohjen time…”, shkruan ai./m.j