Masakra në Bruksel e ka rikthyer edhe një herë makthin e terrorizmit në Evropë. Sulmuesi me origjinë tuniziane që hapi zjarr në qendër të kryeqytetit belg të hënën në mbrëmje, duke lënë të vrarë dy shtetas suedezë, kishte zbritur në Lampedusa në vitin 2011. Prandaj, çështja e zbarkimit të emigrantëve vazhdon të jetë jashtëzakonisht aktuale dhe shqetësuese.
“Në këmbim të investimeve që BE-ja është e gatshme të bëjë, vendet e origjinës dhe tranzitit duhet të marrin përgjegjësinë për qytetarët e tyre, që do të thotë se duhet t’i marrin përsëri kur nuk kanë të drejtë për azil në BE”, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Shumë shpesh çdo shtet anëtar, i vetëm, fillon të negociojë marrëveshjet e riatdhesimit me vendet e origjinës dhe tranzitit, ndërsa si Bashkimi Evropian ne kemi shumë më tepër ndikim”, vazhdoi ajo. Kryetarja e Komisionit foli në një konferencë për shtyp në Bruksel, pas sulmit terrorist që ndodhi të hënën e kaluar në kryeqytetin belg. “Personave që konsiderohen si kërcënim për sigurinë dhe që i nënshtrohen një urdhri kthimi, aktualisht u kërkohet të largohen vullnetarisht nga territori.
Ne duhet ta ndryshojmë urgjentisht këtë. Kjo është arsyeja pse Komisioni Evropian ka propozuar që nëse një person konsiderohet një kërcënim për sigurinë publike të ndonjë shteti anëtar, shtetet duhet të kenë fuqinë për ta detyruar personin të largohet nga vendi. Kjo është pjesë e Paktit për Migracionin dhe Azilin”, tha Ursula Von der Leyen. “Gjëja e tretë për të cilën duhet të punojmë është ana operacionale: ne kemi nevojë për shumë më tepër operacione të përbashkëta, për shembull përmes Frontex, i cili është një instrument i përbashkët,” shtoi ajo.