Vëllai i vajzës 26-vjeçare e cila u përdhunua nga katër persona në Vlorë ka folur për ngjarjen e rëndë. Në një intervistë për Euronews Albania, vëllai tha se edhe pse në fillim në njoftimin zyrtar policia tha se bëhej fjalë për tre persona, ata ishin katër persona. Vëllai i viktimës u shpreh se nëse shteti do ua falë këtë vepër atyre personave ai vetë nuk ka për t’ua falur kurrë.
“Ata janë katër persona, nuk janë tre persona dhe nëse shteti i fal, nuk i fal unë. Nëse shteti apo gjykata do i fal, unë nuk i fal”,-tha ai.
Vëllai i viktimës tha se ai kishte dyshime për mënyrën se si po bëhej hetimi pasi ekspertiza mjekoligjore u bë shumë vonë.
“Ekspertiza mjekoligjore i është bërë pas 5 ditësh, ndërkohë që duhet t’i bëhej brenda 72 orëve,” – u shpreh vëllai i vajzës.
Vëllai i viktimës së përdhunimit tha se motrës së tij i kishin shkuar në spital për ta kërcënuar që të heqë denoncimin.
“Nuk e di kush ka vajtur te spitali dhe ka bërë kërcënim. Motra më tha që kishte shkuar nëna e njërit prej djemve për të hequr denoncimin. Pas zonjës, ka shkuar edhe një zotëri, i cili e ka kërcënuar motrën në spital”, tha ai.