‘Ka një Zot!’, flet shqiptari në Greqi i akuzuar për vrasjen e të dashurës

Që në momentin e parë ai bërtiti për pafajësinë e tij, por askush nuk besoi.

Ai e mohoi me kokëfortësi fajin e tij, por drejtësia greke e dërgoi në burg ku qëndroi për tre vjet.

Shqiptari që fillimisht u akuzua për vrasjen e të dashurës së tij 43-vjeçare në vitin 2014 në Kos, ka folur për median greke protothema.gr duke thënë:

“Në fund të fundit ka një Zot. Zoti pati mëshirë për mua dhe më ndihmoi të zbulohej e vërteta. Në të vërtetë, tani mund të them se ndihem i shfajësuar pas shumë vuajtjeve. Askush nuk më besonte se isha i pafajshëm. Të gjithë menduan se e vrava dhe më futën në burg padrejtësisht”.

Për vitet që ka kaluar pas hekurave ai thotë:

“Tre vite të jetës sime i kalova në burg kur isha i pafajshëm dhe qaja por askush nuk më dëgjonte. Ishin vitet më të vështira të jetës sime. Nuk ka gjë më mizore se të “pagëzohesh” vrasës pa kryer asnjë krim. Ndjeva se po më shkatërrohej nderi dhe dinjiteti dhe nuk mund të bëja asgjë. Fëmijët e mi u mërzitën kur dëgjuan se babai i tyre ishte një vrasës”.

“Unë bashkëjetoja me këtë grua dhe nuk kisha si ta vrisja. Dua të vazhdoj jetën time dhe të lë pas këtë makth që do të më ndjekë përgjithmonë”, përfundon ai.

Përmbysja e madhe në krimin e Kos

Siç zbuloi sot gazeta greke “Demokratiki”, një pakistanez i arrestuar korrikun e kaluar në Gjermani për vjedhje dyqanesh është autori i vrasjes së 43-vjeçares në Greqi. Zbulimi u bë nga gjurmët e gishtërinjëve, ndërsa më pas rrëfeu krimin.

Në prill të vitit 2023, “Demokratiki” zbuloi se u vërtetua mospërfshirja e 54-vjeçarit , i dënuar në qershor 2015 me burgim të përjetshëm, për krimin e rëndë. Kështu ai u la i lirë me kushtet shtrënguese të ndalimit të daljes jashtë vendit dhe paraqitjes një herë në muaj në komisariatin e vendbanimit të tij.

Provat ishin gjurmët e gishtërinjve të marra nga pllakat e banjës pranë trupit të pajetë të 43-vjeçares dhe i përkisnin pakistanezit që jetonte me bashkatdhetarët e tij në një apartament në katin e parë në pallatin ku u krye krimi.

Loading...