Basha për marrëveshjen: Po përzenë shqiptarët dhe po e mbushin vendin me emigrantë të paligjshëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar veprim të nj9 njeriu në hall, marrëveshjen e firmosur mes kryeministrit Rama dhe Italisë për ndërtimin e kampeve për strehimin e emigrantëve të paligjshëm. Basha e cilësoi si një marrëveshje të papranueshme, duke u shprehur se Rama do të përballet me interpelancë në Kuvend sapo të kthehet nga Italia. Ai tha se nuk mundet që një vend të cilit po i largohen të rinjtë dhe profesionistët të hapë dyert për emigrantë të paligjshëm.
“Detyra e parë është të vijë të bëjë transparencën kush i ka dhënë mandat të negociojë? Nuk mundesh nga njëra anë të përzësh shqiptarët nga ana tjetër të hapësh kufijtë për emigrantë të paligjshëm. Mbi çfarë baze? Parimi i parë i qeverisjes është transparenca, sepse kështu garantohet që marrëveshje të tij mos të shkelin interesat kombëtare për interesat personale të një politikani në hall kushdoqoftë ky edhe kryeministri. Sapo të kthehet do të përballet me interpelancë në Kuvend, të japë llogari çfarë është kjo marrëveshje që as nuk u debatua. Si mundet që një vendi që po i largohen qytetarët për shkak të keqqeverisjes dhe të hapësh kufijtë për emigrantë të paligjshëm? Kjo është e papranueshme”- shprehet Basha.
PD dorëzoi dje një kërkesë urgjente për interpelencë me kryeministrin pas publikimit të marrëveshjes së firmosur me Italinë, në kuadër të së cilës Italia do të financojë ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri për të menaxhuar emigrantët pa leje qendrimi. Këto struktura fillimisht do të presin jo më shumë se 3 mijë persona që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil. Do të qarkullojnë në vit deri në 36 mijë persona, natyrisht jo njëkohësisht, pasi kapaciteti maksimal i dy qendrave do të mbetet deri në 3000 persona.

Loading...