24 zyrtarë të arrestuar në Sarandë në më pak se dy vite

Gjatë 21 muajve të fundit me urdhër të Prokurorisë së Sarandës dhe SPAK janë arrestuar 23 zyrtarë të administratës publike dhe 1 noter, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër zyrtar.

Për “shpërdorim detyre” dhe në disa raste edhe për “korrupsion pasiv” janë arrestuar 6 zyrtarë të ASHK Sarandë, 10 zyrtarë të Bashkisë Sarandë, 2 zyrtarë të ARZM Vlorë dhe Sarandë, 4 zyrtarë të IMT, 1 zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, 1 noter, si dhe është shpallur në kërkim 1 zyrtar i ASHK Sarandë.

Arrestimet janë shtrirë në dy raste në Vlorë dhe Tiranë për shkak të lidhjes që është gjetur në veprën penale me qytetin e Sarandës. Ndërkaq, veç 25 zyrtarëve të mësipërm, Prokuroria e Sarandës ka dërguar për gjykim edhe një ish-zyrtar të IMT dhe një ish-zyrtar të spitalit të Sarandës, pasi SPAK kishte nisur më parë procedimin për ta, por dosja më pas është transferuar në Sarandë, ndërkohë që ka dërguar për gjykim edhe 2 zyrtarë aktualë dhe 1 ish zyrtar të ASHK Sarandë pas një procedimi të saj.

Nga 24 zyrtarët e arrestuar, vetëm 14 kanë vuajtur një periudhë kohore në masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa nuk dihet nëse kjo masë do të vazhdojë edhe për zyrtarin e arrestuarit ditën djeshme, që mund të rrisë numrin në 15. 9 zyrtarë të tjerë menjëherë pas arrestimit janë lënë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” ose “Arrest në shtëpi”.

Ndërkaq, 2 zyrtarë dhe 2 ish zyrtarë po gjykohen në gjendje të lirë pa masë sigurimi.

Loading...