Fasule me Pastërma – Shije Tradite

Për shumë njerëz gjella me fasule është një vepër arti për shijen.

E në të vërtetë ashtu është, sepse fasulja në vetvete është një bishtajore e plotfuqishme në vlera, ushqyes, vitamina e minerale.

Në fakt, asgjë nuk ka të krahasuar me një pjatë të ngrohtë ‘me groshë’ në ditët e ftohta të dimrit.

E nëse i kombinojmë fasulet me mishin e thatë, atëherë me siguri një pjatë nuk mjafton.

Përbërësit:
Për 4 persona rekomandohen përbërësit e mëposhtëm:
4-5 copa pastërma

2 filxhan çaji fasule

2 kokrra me qepë

1 spec jeshil

1 domate

Vaj ulliri

kripë

Spec djegës sipas dëshirës

Përgatitja 

Përgatitja e gjëllës fillon që në mbrëmje. Fasulet vendosen në një enë të mbushur me ujë dhe mbahen gjithë natën.

Në një enë tjetër vendosen copat e mishit të thatë që të zbuten dhe tu dalë kripa.

Të nesërmen nis përgatitja e gjellës.

Hiqni fasulet dhe mishin e thatë nga enët përkatëse dhe shpërlajini.

Vendosni tenxheren në zjarr, mbusheni me ujë dhe hidhni fasulet.

Sapo të kenë marrë një valë, derdheni ujin dhe më pas mbusheni sërish me ujë të pastër.

Vendoseni tenxheren sërish në zjarr.

Në një tigan të thellë hidhni vaj ulliri dhe shtoni qepën e prerë hollë.

Kavërdiseni deri sa të marrë një ngjyrë kafe të çelët.

Shtoni specin e prerë hollë.

Domaten kalojeni në rende dhe hidheni lëngun që të shmangni aciditein e lartë në gjellë.

Pasi të jenë kavërdisur për disa minuta, fërgesën e hedhim në tenxheren me fasule së bashku me copat e mishit të thatë.

Nëse do të përdorni tenxhere me presion gjella përgatitet në 40 minuta.

Nëse do të përdorni një tenxhere normale, gjella bëhet gati në 95 minuta.

Zierja është në varësi të fasules, nëse është e re apo e vjetër.

Në minutat e fundit të zierjes shtoni kripën.

Gjatë servirjes mund të shtoni spec djegës sipas preferencës.

Në ditët e ftohta të dimrit, fasulja me mish të thatë kombinohet mirë me domatet turshi ose kos.

Vlerat shëndetësore të fasules
Fasulja është një burim i shkëlqyer fibre.

Kjo bishtajore e rëndësishme përbën një mënyrë të shëndetshme për të marrë proteina por pa yndyrna, karbohidrate apo kolesterol.

Vlerat e mishit të thatë
Kur konsumohet në sasi të moderuara, mishi i thatë ofron proteina, yndyrna të shëndetshme, kolesterol të ulët, zink dhe karbohidrate.

Pastërmaja mund të piqet në prush, ose mund të gatuhet me fasule e të hahet me turshi. Kjo është receta më e preferuar dimërore për çdo familje shqiptare./AgroWeb.org

Loading...