Shqiptari gjendet i pajetë në Itali

Një shqiptar është gjetur i pajetë në një zonë pyjore të Paderno del Grappa, në provincën e Trevisos në Itali. Sipas medieve italiane bëhet fjalë për Bledar Dedjan, në trupin e të cilit u konstatuan plagë me thikë. Dedja prej disa kohësh jetonte dhe punonte në zonë.

Trupi i tij është gjetur mëngjesin e sotëm dhe në vendngjarje ishin edhe departamentet e mjekësisë ligjore, prokurori i Prokurorisë së Trevisos Sabattini dhe eksperti mjekësor Furlanetto për një ekzaminim fillestar të jashtëm të trupit.

Nga këqyrja fillestare e trupit, dolën shenja të plagëve me thikë në kokë dhe gjoks. Hetimet sapo kanë nisur dhe për momentin nuk përjashtohet asnjë hipotezë hetimore.

Në vendin ku u gjet trupi , u gjet edhe një makinë e bardhë, të cilën ekspertët e departamentit shkencor të Karabinierëve e analizuan në kërkim të provave dhe të dhënave që mund të ndihmonin në rindërtimin e asaj që ndodhi. Trupi është dërguar për autopsi për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe kohën e vdekjes.

Sipas asaj që është mësuar deri më tani në bazë të dëshmive të miqve dhe të afërmve të 39-vjeçarit, burri është parë për herë të fundit mbrëmjen e së shtunës brenda një klubi ku punonte. Pasi nuk u kthye në shtëpi nga puna, të afërmit ngritën alarmin mëngjesin e sotëm.

Pak orë më vonë, policia bëri zbulimin makabër të trupit.

Loading...