Rapsodi i shquar popullor është një nga kontributorët më në zë për artin dhe kulturën pukjane, e më gjerë për atë mbarë shqiptare.
Me ndarjen nga jeta të Tom Nikollës, Puka humbi një nga njerëzit e shquar të saj, por edhe Shqipëria humbi një nga themeluesit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Kryetari i bashkisë së Pukës sot në një mesazh ngushëllimi për rapsodin e njohur shprehet se “personifikimi i çiftelisë dhe rapsodisë popullore, Tom Nikolla do të mbahet mend gjatë tek brezat si një prej artistëve më në zë të Pukës dhe mbarë Shqipërisë”.
“Tom Nikolla gjithnjë në aktivitetin e tij si artist ka bërë krenar çdo pukjan, teksa renditet ndër rapsodët dhe instrumentistët më të mirë të Shqipërisë. Ai ishte i pari artist shqiptar që mori “Medaljen e Artë” në festivalin e Moskës, , ndërsa jo shumë vite më pas talenti dhe puna e tij shpërblehet me “Medaljen e Argjend” në Egjipt. Asnjëherë nuk e mohoi vendlindjen, Iballën dhe Pukën duke e përfaqësuar denjësisht atë”, thekson Gjonaj.
Gjonaj i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë adhuruesve të këtij artisti, që sipas tij, do i mungojë të gjithëve.
Tom Nikolla është nderuar më herët me titullin “Qytetar Nderi” i Pukës./atsh