Haradinaj:” Askush nuk do t’i marrë më tokë Kosovës!”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë sonte në ceremoninë përmbyllëse të aktiviteteve me rastin e 550 vjetorit të Skënderbeut.

Haradinaj edhe në këtë takim, e kundërshtoi ashpër mundësinë e shkëmbimeve të territoreve, si zgjidhje finale me Serbinë.
Duke folur për këtë çështje, Haradinaj deklaroi se Kosova e Shqipëria janë të rrethuara me tokën e vetë, që sot e kanë shtetet tjera.

“Nuk ka në Kosovë, tokë të një populli tjetër, mbajeni në mend këtë. Ne nuk jemi refuzues, këtu jetojnë të gjithë. Kosova e Shqipëria kufizohet vetëm me tokë të vetë, pra ne kufizohemi vetëm me tokën tonë, e cila sot është e dikujt tjetër. Nëse ka të drejtë të Zotit, duhet t’iu themi të gjithëve, fqinjëve e miqëve ne nuk kemi tokë të huaj në shtetin tonë”, ka thënë Haradinaj.

Ai edhe një herë u shpreh i bindur se Kosova nuk do t’i jap tokë askujt.

“Jemi të rrethuar me tokën tonë që është në shtete tjera. Dëshiroj me besu që i takoj brezit, që do ta ndalë këtë praktikë që dikush të merr prej shqiptarëve. Jetoj me këtë bindje, dhe nuk do t’i merr kush më tokë Kosovës”, përfundoi Ramush Haradinaj.

Deklarata të tilla, Haradinaj, në lidhje me tokat e Kosovës, kishte dhënë edhe disa ditë më parë.

Në përvjetorin e masakrës së Reçakut, Haradinaj ishte shprehur se edhe nëse rrëzohet nga posti i kryeministrit, nuk do të lejojë copëtimin e tokave të Kosovës.

“Deri kur po dojnë miqtë tanë me e la veten dhe me i rëndu shqiptarët. Ne i kemi pranu si miq po nuk bën me i rëndu një popull të vogël. Na vranë e na prenë e tash jepjani edhe një copë toke Serbisë. Le t’ia jep dikush një copë tokë Serbisë nëse guxon dhe do ta shohim se si do të dalë. Unë sa të jem në këtë Qeveri do t’i grahi kësaj pune, edhe nëse më rrëzojmë prapë pas kësaj pune do të jem”, kishte thënë Haradinaj.

Ky debat tash e sa kohë po zhvillohet në Kosovë, pasi presidenti Thaçi kishte nisur idenë e tij të korrigjimit të kufijve.

Kjo nga shumë analistë e zyrtarë të partive politike në Kosovë, u cilësua si mundësi për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Loading...