“Spiunët” – Nga Genc Demiraj

Nga Genc Demiraj

Spiunët…

I janë ngulitur dhe bërë të urryera brezit tonë nëpërmjet artit dhe letërsisë, personazhet e damkosur me emrin e neveritshëm…spiun…Që jo dhe rastësisht, për hir të urrejtjes, autorët përbri emrit të neveritshëm spiun i sajonin personazhit edhe një emër po kaq të shëmtuar jetësor p.sh : spiun Faslliu, Zylyf spiuni etj. pa harruar.që në kinema apo teatër, shëmtisë së tyre morale u shtohej edhe ajo e paraqitjes fizike. Kështu u brymosën dhe kështu u fiksua në imagjinatën tonë për 50 -vjet, imazhi viziv i një spiuni…
… Shumë vonë, vetëm në vitet ’90 morëm vesh se këtë punën, e neverisë së lemerishme, e paskan bërë edhe shumë e shumë të tjerë, biles edhe të mençur, të zotë pse jo edhe të bukur. Me emra krejt normale dhe moderne për kohën si dhe me pseudonime shumë të lezetshëm dhe të gjetur profesionalisht. Imazhi i ngulitur i shëmtisë sureale të spiunëve, gradualisht u fshi duke lënë në eter vetëm neverinë e emrit spiun… Kërkuam në fjalorin enciklopedik domethënien e të urryerës fjalë spiun, dhe në mënyrën më të paqartë shpjegohet : që spiun është ai që merret me spiunazh ! Ai që spiunon në shoqëri a në mjedise të ndryshme, pa patur fakte…!
Në histori, që nga antikiteti dhe deri në kohët moderne dihen dhe janë të njohura rolet dhe kontributet e spiunëve në fatet e shteteve dhe sistemeve, siç dihen dhe fundet pa lavdi dhe në përbuzje deri në tragjedi të vetë protagonistëve. Për hir të së vërtetës ata i kanë shërbyer, diku edhe pa devotcion, eprorëve të tyre. Sistemi që lamë pas e ngriti dhe e perfeksionoi rrjetin e informatorëve apo bashkëpunëtorëve të sigurimit, i instruktoi, i përgatiti dhe i shkolloi…të aftë për të gjitha fushat e jetës. I përdori dhe i kamufloi si spiuna profesionistë sejcilin prej tyre, pa harruar që CV-të, kualifikimet, aktivitetet, sukseset në këtë fushë, arritjet dhe mosarritjet, veset, të larat dhe të pa larat e jetës së tyre ti përmblidhte në një dosje…
…La me qindra -mijëra dosje të tilla sistemi i kaluar, që sipër mbajnë të shkruar gjithë elegancë pseudonimet e sejcilit dhe brenda mistere pa fund. Rrëzimi i pushtetit monist në vitet ’90, kërkoi si domosdoshmëri hedhjen në veprim me urgjencë të këtij kontigjenti intelektualësh spiunë, duke zënë poste kyçe në politikë dhe në shtet. Poste që, për hir të së vertetës, ata i mbajnë dhe po i shkëmbejnë me sukses ndërmjet tyre në keto 27 vjet…Por pa harruar që bashkë me dorëzimet estradeske të pushteteve, të dorëzojnë edhe si garanci dhe siguri për rotacion, dosjet e famshme dhe të mistershme të rinisë së tyre..
Në kohë mosbindjesh politike, presioni i hapjes së dosjeve është i madh dhe loja “hapa-mbylla” e tyre, jo vetëm ka shuar interesin dhe misterin për to por ka krijuar bindjen në popull , se të pëgërurit e sistemit të kaluar, zor se ka lënë qeverisës dhe politikanë të sotëm pa përlyer.

Loading...