Nëpërmjet investimeve të qeverisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përfunduar edhe rikonstruksionin e rrugës hyrëse të Ulëzës përgjatë aksit rrugor Milot-Burrel.
Kryeministri Edi Rama ka publikua foto nga rruga e re e Ulëzës. “MIRËMËNGJES , dhe me këto pamje të rrugës së re të Ulëzës, ju uroj një ditë të mbarë “, shprehet Rama.
Rruga 2.2 kilometra është pjesë e Parkut Natyror Rajonal Ulëz, dhe fillimisht është ndërtuar në vitin 1955 e që prej asaj periudhe nuk ishte vënë në dorë, ç’ka kishte sjellë amortizimin e skajshëm dhe në disa vende rruga ishte bërë e pakalueshme.
Si rezultat i ndërhyrjes, trupi i rrugës është zgjeruar, janë ndërtuar veprat e artit për displinimin e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore si dhe është pajisur me barriera mbrojtëse dhe elementë të tjerë të sigurisë rrugore.
Me përfundimin edhe këtij aksi, kjo zonë mund të konsiderohet edhe si histori suksesi për impaktin që investimet në infrastrukturë sjellin në zhvillimin e një zone dhe rigjallërimin ekonomik e social të saj.
E pozicionuar midis bashkive Mat dhe Mirditë, Parku Rajonal i liqenit të Ulëzës ka një sipërfaqe prej 4 206 hektarësh dhe shtrihet nëpër të gjithë kurorën e liqenit të Ulëzës dhe Shkopetit në një lartësi 400 m mbi nivelin e detit.
Kjo është zona turistike më e afërt për banorët e këtyre bashkive, të cilët e frekuentojnë edhe për plazh gjatë verës. Pas shpalljes Park Natyror, Ulëzën e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj nga Italia, Franca, Gjermania, Çekia e Polonia.
Më herët, FSHZH ka realizuar investime për ndërtimin e kanalizimeve dhe depurifikimin e ujërave të zeza, ndërtimin e ujësjellësit dhe sistemin e shpërndarjes së ujit të pijshëm, rikonstruksionin e sheshit qendror dhe fasadat e ndërtesave shtetërore. Këto investime të qeverisë shqiptare dhe CEB-it kapin shifrën totale prej 168 milionë lekësh.
Rreth 2 000 banorë të Ulëzës janë përfitues të drejtpërdrejtë të këtyre investimeve, ndërsa numri i përfituesve indirektë kap shifrën e rreth 49 000 mijë banorëve. /atsh