Pasi u ankua në platformën “shqipëriaqëduam.al”, pensionistja merr pensionin që i ishte mohuar por edhe . . .

Ka punuar 26 vjet e 7 muaj, por merrte pension shumë më pak nga sa i takonte. Trokiti në dyert e institucioneve, por nuk mori përgjigje duke u vrarë shpirtërisht. Mirëpo, falë një ankese në platformën “Shqiperiaqeduam.al”, Fatmira Halipaj nga Durrësi tanimë merr pensionin e llogaritur ashtu si i takon dhe po ashtu, mori edhe diferencën e parave të mbajtura në vite.

Kryeministri Edi Rama sjell historinë e kësaj gruaje të moshuar e cila tashmë është mjaft e lumtur me pensionin e saj. “Me rrëfimin e Fatmirës që kishte humbur çdo shpresë, ndërkohë që i mjaftoi një klik për të fituar të drejtën e mohuar, ju uroj një fundjavë të mbarë”, tha kryeministri Rama.

Vetë Fatmira tregon se ka punuar në kushte të vështira si elektro-inxhiniere. “Kur zbrisja nga vinçi, kisha duart e buzët krejt të zeza se kishte dëborë. Kur gjëmonte, unë me duart në korrent. Edhe tani që e kujtoj më dridhet shpirti dhe kur vjen puna nuk u vlerësuam. U vrava shpirtërisht, me thënë të drejtën. U sëmura, por nuk mund t’ua shtrish dorën fëmijëve. Ne kemi edhe çuna por nuk mund t’ua shtrish dorën”, rrëfen ajo.

Fatmira thotë se tani që doli Shqiperiaqeduam.al, njerëzit thonin jo gënjen, jo nuk është e vërtetë e gjëra të tjera. “Po i vija veshin përditë dhe bëmë një kërkesë dhe më erdhi përgjigja pas dhjetë ditëve”, tregon ajo.

“Jam pensioniste. Më quajnë Fatmira Halipaj me banim në Durrës. Nga viti 1970-1997 kam punuar në kombinatin e drurit në Laç me profesion elektro-inxhiniere, ngarkim-shkarkim vagonësh, makina me trupa. Kam punuar 26 vjet e 7 muaj. Në vitin 2012 dola në pension të cilin ma kanë llogaritur gabim. Bëra ankesë tek Sigurimet Shoqërore në Durrës, por më thanë që është vendim VKM. Sipas dokumenteve më kishte dalë 16 mijë lekë ndërsa unë marr 8700 lekë. Nuk e kuptoj si mund të punosh një jetë të tërë dhe të mos marrësh atë që të takon”.

Pas aplikimit, Fatmirës i shkoi pensioni 15 mijë e 500 lekë dhe mori edhe diferencën 1 milionë e 300. “Dhe kur më erdhi përgjigja, sikur më fali dikush ndonjë gjë të madhe ngaqë isha vrarë se thoja pse të marr unë 80 mijë lekë. Ishte një gjë shumë e rëndë. Ndaj jua di për faleminderit”, tha Fatmira.

Ashtu si Fatmira, çdo shqiptar që kërkon të drejtën e tij duhet të bëhet pjesë e platformës së bashkëqeverisjes dhe të marrë përgjigje brenda një kohe të shkurtër për problemet që nuk janë zgjidhur prej vitesh. /j.p/
ATA

Loading...