Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, pa nga afër në QSUT punën që po bëhet me të gjithë pacientët që përfitojnë nga paketa e vendosjes së lenteve falas.
Kreu i qeverisë vlerësoi e mbështeti punën e mjekëve në sistemin spitalor të vendit.
“Këtu dhe në spitalet në tërësi ka mjekë fantastikë dhe infermierë shumë të devotshëm, kuptohet, ka edhe nga ata që na turpërojnë, por e vërteta është që unë e kam parë me shumë njerëz që kalojnë nga spitali, që ndryshojnë mendim kur bëjnë shërbimin, se presin keq dhe ju del mirë”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Ministrja Manastriliu tha se “QSUT prej këtij viti fillon ofrimin e një shërbimi shumë të rëndësishëm, falas për çdo qytetar që ka nevojë për ndërhyrjen e kataraktit, ose vendosjen e lentes. Do të ofrohet për më shumë se 2000 pacientë në vit, gjithashtu dhe në spitalet rajonale. Spitali Rajonal i Vlorës e ka filluar, gjithashtu pritet të fillojë dhe spitali i Elbasanit”.
Pacientët, të cilët kanë bërë tashmë vendosjen e lenteve, shprehen të lehtësuar që ky shërbim ofrohet falas në klinikën e Okulistikës në QSUT, pasi në të kundërt do të ishin të detyruar të paguanin 700 dollarë.
“Gjëja më e mirë është falas, kuptohet edhe dora speciale e doktoreshës”, – u shpreh një pacient. /atsh/