Ujësjellës Kanalizime Vlorë aksion për zbatimin e reformës së ujit

Ujësjellës Kanalizime Vlorë po vijon aksionin për identifikimin dhe marrjen e masave për debitorët në zona të ndryshme të qytetit dhe në njësitë administrative.

Ujësjellës Kanalizime Vlorë bën të ditur se “deri tani janë prekur nga aksioni abonentët e lagjes “24 maji”, ku po evidentohet situata e konsumatorëve në zbatim të reformës së ujit. Po ashtu në lagjen “15 tetori” është kryer ndërprerja e ujit për debitorët dhe po vijon kontrolli i abonentëve në lagjen “29 nëntori””.

Sipas UKT-së Vlorë reforma e ujit vijon edhe në njësitë administrative ku në Orikum dhe Nartë ka pasur ndërprerje të ujit të pijshëm dhe njoftim të debitorëve.

“Në Orikum po kryhet reformë për të bërë një zonë pilote, ku do të vendosen matësa për 125 familje dhe do të ketë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm”, sqaron UKT Vlorë.

Në fokus të punës së UKT Vlorë janë edhe banesat e pabanuara, ku gjatë ditës së sotme grupet e punës kanë bërë edhe ndërprerjen e ujit.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Dorian Xhelili, shprehet se “ka një ndërgjegjësim dhe puna vazhdon normalisht. Ne po punojmë në terren me grupe verifikimi dhe përditë kemi prerje, vendosje matësi dhe kontrata të reja”.

Sipas tij, për të gjithë debitorët bëhet ndërprerja dhe merren masa administrative .

Ai sqaron se “për debitorët që nuk kanë mundësi ta shlyejnë të gjithë debinë ne kemi krijuar mundësinë e lidhjes së një akt marrëveshjeje për pagimin me këste të debisë që ata kanë ndaj Ujësjellës Kanalizime Vlorë.

Prej gati një viti grupet e kontrollit të Ujësjellës Kanalizime kanë dalë në terren për të ndërprerë ujin të gjithë qytetarëve apo bizneseve që nuk kanë kontrata me ujësjellësin./atsh/

Loading...