Miratohet shkarkimi i Bushatit, Rama edhe ministër

Kuvendi ka miratuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër i jashtëm dhe emërimin e kryeministrin Edi Rama edhe në postin e ministrit të jashtëm.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati është shkarkuar me 77 pro dhe 1 abstenim. Vota abstenim ka qenë nga deputeti Spartak Braho, ndërsa vetë ministri ka votuar pro shkarkimit të tij. Sakaq, kryeministri Edi Rama është emëruar ministër i jashtëm me 78 vota pro. Gjithashtu Kuvendi ka vendosur të zgjasë me 30 ditë punën e komisionit të reformës zgjedhore.

Reforma zgjedhore, sikundër kanë apeluar edhe të dërguarit e Brukselit dhe OSBE-së, duhet miratohet sa më parë, që zgjedhjet e 30 qershorit të jenë në përputhje me standardet më të larta ndërkohmëtare.

Mazhoranca e opozita do të masin forcat gjatë punës së komisioni hetimor parlamentar, që do të hetojë ligjshmërinë e dhënies së certifikatave të sigurisë Zv/ministrit Genti Cakaj nga ana e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, brenda 24 orëve.

Javët e ardhshme do të shihet një tjetër përballje mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës. Ky i fundit do të duhet t’i përcjellë Kuvendit dekretin e ri për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vetëm me pëlqimin e shumicës socialiste në drejtimin e KLSH-së do të shkojë emri që do përzgjidhet nga kreu i shtetit.

E jo vetëm kaq, qeveria do të përballet me protestat e opozitës, e cila ka bërë të qartë se do të udhëheqë protestat qytetare për rrëzimin e qeverisë “Rama”, krijimin e një qeverie teknike kalimtare për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

Gjatë këtij sesioni ligjvënësit do të duhet të marrin vendime të rëndësishme dhe në funksion të zbatimit të reformave, me synimin që në qershor Këshilli Europian të vendosë nisjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Loading...