Arrestohet kreu i PS në Prrenjas, aksidentoi kalimtarin

Policia e Librazhdit ka arrestuar kryetarin e Partisë Socialiste të Prrenjasit Haxhi Çollakun, pasi ai akuzohet se ka përplasur me makinë një kalimtar.
Çollaku mbrëmë ishte duke drejtuar mjetin në aksin rrugor Prrenjas-Librazhd, teksa ka aksidentuar një këmbësor, shtetasin me inicialet A.V., 54 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore te Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasin: H.Çollaku 43 vjeç, banues në fshatin Rrajcë, Prrenjas. Arrestimi i tij u bë pasi, duke drejtuar mjetin në aksin rrugor Prrenjas – Librazhd, ka aksidentuar këmbësorin shtetasin A.V., 54 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale ” Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, ngjarja në fjalë u bë publike edhe në faqen zyrtare të ‘Facebook’ të ish-kryeministrit Sali Berisha. Qytetari dixhital i shkruante Berishës se kalimtari kishte ndërruar jetë, ndërkohë që policia bën me dije se 54-vjecari ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa akuzonte Çollakun se ia kishte hedhur fajin viktimës.
(BalkanWeb)

Loading...