Cakaj: Do të punojmë natë e ditë për të çuar para integrimin e vendit në BE.

Gent Cakaj ka marrë nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm Edi Rama detyrën si ministër i deleguar i MEPJ.

Ai ka mbajtur një fjalim plot pathos para ish-ministrit Ditmir Bushati, Ramës dhe zyrtarëve të tjerë, duke përsëritur disa herë fjalë si “atdheu”, “vendi ynë” si për t’iu përgjigjur të gjithë kritikëve që e panë si një figurë dhe ministër që vjen nga Kosova.

Ai premtoi se do punohet natë e ditë për të çuar para integrimin e vendit në BE.
“Të qenit drejtues i këtij institucioni me kompetenca të deleguara me vëzhgimin e tij është një start i garantuar në grykën e zjarrit të akuzave pa bazë e paragjykimeve. Nën drejtimin e ministrit Bushati trajta amorfe e politikës së jashtme të Shqipërisë është shndërruar në një platformë solide dhe të mirëstrukturuar. Shqipëria sot pa asnjë dyshim qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik dhe nivelin më të konsoliduar. Vendi ynë është bërë prijës i një sërë nismash rajonale. Shqipëria qëndron para një vendimi historik për negociatat. Atdheu ynë Shqipëria është në fazën e pakthyeshme”, deklaroi Cakaj.

Por ai siguroi se nuk do ketë ndryshim strategjish në politikën e jashtme.
“Ky transferim autoriteti institucional nga zoti Bushati të cilin e falënderoj tek unë nëpërmjet kryeministrit Rama të cilin nuk di si ta falënderoj nuk nënkupton asnjë ndryshim strategjish në politikën e jashtme. Ne do të vazhdojmë pa asnjë diskutim të shtyjmë më me vullnet përpara rrugën e integrimit”, tha Cakaj.

Ai theksoi se ne do të mbetemi gjithsesi forcë e patjetërsueshme e paqes dhe stabiliteti, promovuese e frymës së pajtimit dhe bartëse e ideve të zhvillimit dhe dialog me fqinjët pa dallim.
“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, të intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale.
Si edhe kryeministri Rama e ka nënvizuar ne duam të rrisim më tej komunikimin, ndërveprimin me faktorin shqiptar në veçanti. në kohën që po vjen do jemi gjithmonë e më afër tyre sikurse ata gjithherë më afër nesh.
Kjo vëmendje e shtuar në politikën rajonale nuk duhet të lexohet si shenjë e lëshimit në axhendën evropiane”, tha ai.

Cakaj theksoi se procesi i anëtarësimit në BE është një proces i pakthyeshëm politik e kombëtar. “Shqipëria duhet të jetë e organizuar për të realizuar këtë synim në kohë reale sipas kalendarit. 5 muajt e ardhshëm një periudhë pune pa orar. MEPJ do të vazhdojë punën e saj intensive për një performancë sa më cilësore në kuadër të procesit të Screen-it. Një ndër objektivat qendrore të punës sime në vijim do të jetë rritja e ndërveprimit me ministritë e linjës për të realizuar pa asnjë ekuivok detyrat e vëna në qershor 2018”, deklaroi Cakaj.

(BalkanWeb)

Loading...