Nga Novruz Barjamaj
Ergys Alushi
Më datën 14 shtator të vitit 2016, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, nderon fshatin Drashovicë me Dekoratën “Nderi i Kombit”. Një ngjarje e madhe për Drashovicën dhe banorët e saj. Po çfarë ka bërë Drashovica që nderohet kaq lart? Cila është historia e lavdishme e tij?
Çfarë të veçante kanë banorët e kësaj toke? Vetëm luftën, besën, mikpritjen, dashurinë për vendin e për njëri tjetrin?
Ky fshat, me emrin Drashovicë ka më shumë sesa kuptimin e një fshati të vetëm. Kur lexon historinë qindra vjeçare të fshatit dhe kur rreshton peshën e lavdisë, ngjarjeve, monumenteve të natyrës, duket sikur Drashovica është e destinuar dhe e bekuar për të bërë histori. Drashovica është një ndër tre urat-kufi të Labërisë. Të gjithë e njohin si ura e Drashovicës, si një urë që lidh dy brigje, ashtu si të gjitha urat e tjera. Por në fakt, nuk është një urë si të gjithë të tjerat. Ajo është një urë – kufi. Është kufiri i Labërisë, i asaj Labërie që çuditërisht shtrihet brenda tre urave, urës së Drashovicës, urës së Kalasë dhe urës së Tepelenës.. Është një urë, në vend të një simboli, shenje, tabele. Vendosja e këtij fshati në hyrje të zonës kodrinore e malore të luginës së lumit të Shushicës, nga ku qysh në kohët më të vjetra degëzoheshin rrugët për të hyrë në brendësi të lumit të Vlorës e më tej, ka bërë që Drashovica ndër shekuj të konsiderohet si porta e Labërisë. Edhe sot në territorin e këtij fshati gjenden gjurmët e rrugëve të vjetra si ajo e Karvaneve, në anën e djathtë të rrjedhjes së lumit dhe udha e Rrëzës në anën tjetër. Këtij pozicioni të fshatit populli i ka kënduar:
“Te ura në Drashovicë,
portë e madhe e Labërisë,
ku shkojnë e kthehen stuhitë”.
Në Drashovicë janë zhvilluar dy luftëra me rëndësi ne historinë kombëtare, më 1920, Lufta e Vlorës që përfundoi me çlirimin e Vlorës nga italianët dhe më 1943, Epopeja e Drashovicës, luftë frontale popullore kundër nazistëve gjermanë. Dhe nuk kanë ndodhur rastësisht këtu.
Luftërat e mëdha ndodhin gjithmonë në kufi dhe për kufijtë. Pushtuesit kanë dashur ta kalojnë gjithnjë urën – kufi, të hynin në Labëri, ta pushtonin atë, të zotëronin majat e larta të saj.
Me rëndësi historike ka qenë edhe Kuvendi ndërkrahinor i Drashovicës, korrik 1911, ku rreth 3000 labë, u përgatitën me armë për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë, që u kurorëzua më 28 Nëntor 1912, në Vlorë. Por Drashovica nuk është vetëm e luftës, ajo është edhe e penës. Mulla Xhafer Drashovica është përfaqësuesi më i ndritur i këtij fshati, njeriu që u mësoi shqipen fëmijëve të Ismail Bej Vlorës, në kohën kur jetonte në shtëpinë e patriotit të madh vlonjat. Emri i tij i vërtetë është Xhafer Kafil Xhenxhe dhe ka lindur në Drashovicë rreth vitit 1848. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi Mulla Xhafer Drashovicën (pas vdekjes) me motivacionin: “Si atdhetar i shquar dhe një nga figurat emblematike të Pavarësisë së Shqipërisë dhe arsimit tonë kombëtar, i cili ia doli që të blatonte në çdo vlonjat, krahas aspiratave për liri, edhe dashurinë për gjuhën dhe identitetin shqiptar”. Për herë të parë fshati Drashovicë përmendet në një dokument të periudhës bizantine. Në kalendarin kombiar të vitit 1900, në faqen 54 shkruhet: “Më 1374 duke marrë shkak nga vdekja e krajlit boshnjak Nikolla, Balshajt hynë në territoret të këtij krajli dhe nënshtrouan qytetet; Trebinjë, Kanalin dhe Dracovicën”. Vet emri Drashia, si një toponim i mbetur nga pushtimet sllave, do të thotë ‘vendi i bukur apo i dashur’. Falë kullotave të shumta, tokave pjellore e ujit të bollshëm banorët e këtij fshati ndër shekuj i kanë siguruar të ardhurat për të jetuar me blegtori, bujqësi e peshkim.
Disa nga burrat e vjetër të fshatit na shoqërojnë për të na treguar më shumë për historinë e fshatit, ngjarje, emra, fise, shtëpi, toka, varret e arrat e vjetra. Këto që po rendisim më poshtë janë disa copëza nga bisedat me ta.
Historiani, arkeologu dhe muzeologu i njohur i Vlorës, Novruz Barjami, që është dhe bir i këtij fshati tregon me pasion për Drashovicën.
Të gjithë së bashku lëmë mbas fshatin dhe i ngjitemi kodrës duke ecur në një rrugë-kalldrëmi të prishur që kohë në parë ka qenë rruga e fshatit të vjetër. Ndalesa e parë është pikërisht në fshatin e vjetër, lart në kodër, ku gjenden ende disa gërmadha, njëra prej të cilave është shpallur edhe shtëpi muze, ndërkohë që fshati i përket periudhës së Mesjetës dhe është me vlera të larta arkitekturore. Ndër monumentet më të rëndësishme të Drashovicës janë, pikërisht rrënojat e fshatit të vjetër. Për të shkuar deri atje, pasi të kesh dalë në krye të fshatit të ri, duhet të vazhdosh të ecësh në një rrugë pothuajse të braktisur që të çon në pjesën më të lartë të fshatit. Tek-tuk në të shihen pjesë të shtruara me kalldrëm që nga përmasat dhe lloji i punimit ‘flasin’ për dëshminë e një rruge të rëndësishme të një qendre të banuar mesjetare. Papritur midis ullinjve të shfaqen rrënojat e fshatit të vjetër të Drashovicës. Të gjitha shtëpitë këtu kanë qenë të vendosura shkallë shkallë, në formën e një amfiteatri. Banesat e larta me 2, 3 e katër kate, të gjitha të punuara me gurë të bardhë të Kallafetit, edhe pse rrënoja që heshtin, të mahnitin me madhështinë e tyre. Në qendër të fshatit kanë qenë të vendosura banesat më të larta. Një ndër banesat që spikat për vlerat e saj janë sarajet e Arshi Halil Xhindit, ish kryetar i bashkisë së Vlorës më 1928 dhe deputet në parlamentit shqiptar në periudhën e mbretërisë. Banesa ka qenë katërkatëshe e tipit ‘kullë’, në rrënojat e banesës ruhen ende muret në të gjithë lartësinë e tyre. Dritaret janë të zbukuruara në pjesën e sipërme me qemerë false e dekorim me tulla të kuqe. Mbi këto saraje ndodhen rrënojat e xhamisë së fshatit, Ndërtesa ka pasur formë kuadrate e me përmasa mesatare. Minarja e vendosur në perëndim të xhamisë ka qenë e tipit hollake me shkallë nga brenda. Banesa më e madhe, e zhvilluar horizontalisht, rrënojat e së cilës ruhen ende edhe sot në gjysmë lartësie, janë pashotat e Hamdi Mitës, hoxhës së fshatit. Në to dallohet porta e mbuluar me qemer të dyfishtë, thollot e shumta dhe strukturat utilitare (ndihmëse) të banesës. Kjo banesë përfaqëson një kompleks ndërtimor me vlera unikale. Në fshatin e vjetër vetëm një banesë gëzon statusin monument kulture. Është banesa trekatëshe e tipit ‘kullë,’ e ndërtuar në fillim të shekullit XIX. Në të gjithë ndërtesën janë të shpërndara në mënyrë harmonike dritare e frëngjitë e shumta. Banesa të tilla të tipit kullë u ndërtuan pothuajse në të gjitha fshatrat që ndodheshin në territorin ku shtriheshin zotërimet e Ali Pashë Tepelenës. Edhe sot ato i gjejmë në Mavrovë, Gumenicë, Brataj, Dukat, Himarë e Qeparo.
Në rrënojat e fshatit të vjetër ruhen ende enë në përmasa të mëdha të punuara në një gur siç janë pilat, enë që përdoreshin për nxjerrjen e ruajtjen e vajit, gurët e mullinjve e mbetje të pitosave, qypa të mëdhenj balte. Banorët në rrëfimet e tyre ndihen nostalgjikë për fshatin e vjetër, për shtëpitë e rrugicat ku kanë kaluar fëmijërinë e rininë, arrën e vjetër të Kolajve, varret e të parëve në mes të ullinjve dhe kujtime të ndryshme që ju shkaktojnë jo pak emocione. Në vitin 1900 albanologu austriak Paçi që vizitoi fshatin e vjetër të Drashovicës në shënimet e tij shkruan, se këtu ndodheshin rreth 100 shtëpi. Fshati ka qenë i ndarë me lagje, fise dhe i pasur me vaj e ullinj, vreshta, verë kryesisht vlosh, ishte e zhvilluar zejtaria ku punoheshin gurët e strallit, por që fshatit i mungonte uji. Kjo mungesë e detyroi fshatin të shpërngulej aty ku është sot, në anë të lumit, shpërngulje që filloi në vitet 20 me të parët Ruçajt, Markajt, Barjam Arapi, Arshi Halili, Fallanajt, Runajt dhe përfundoi rreth viteve 60.
Aty gjejmë gjurmët e një fshati edhe më të vjetër, ndoshta të periudhës bizantine. Nisur nga toponimi Palaohër që shqipërohet fshati i vjetër dhe dëshmitë ekzistuese si pjesë të themeleve të banesave, fragmente të shtruara me gurë të rrugëve të ngushta si dhe grumbuj gurësh, si mbetje të ngrehinave, mund të përcaktojmë jetëgjatësinë e këtij vendbanimi, shtrirjen urbane dhe planimetrinë e banesave.
Nga rrafshina zbresim në pjerrësinë e kanionit të përroit që ndan fshatin e Drashovicës me qytezën e Kaninës ku ndodhen ngrehinat e manastirit të Kllogjerit. Terreni është i vështirë për shkak të pjerrësisë dhe gurëve të shumtë, karakteristikë e të gjithë zonës. Si rregull manastiret ndërtoheshin në vende të izoluara ku mund t’u shmangeshin vendbanimeve urbane për të qenë më të lirshëm në lutjet e murgjve ndaj zotit. Në pjesën më të lartë kanë qenë të ndërtuara fjetoret dhe ambientet e ngrënies si dhe cisternat për grumbullimin e ujit. Në një shesh mbi përroin e Kllogjerit ruhen ende themelet e kishës së manastirit. Kisha ka qenë njënefshe dhe me orientim jug-veri. Në planimetrinë horizontale të kishës, me përmasa 10 herë 19 metër e me trashësinë e mureve 60 cm dallohen salla e madhe e lutjeve, altari dhe absida. Brenda territorit të manastirit ndodhen edhe rrënoja e bibliotekës ose, si thonë më të vjetrit, shkolla e priftërinjve. Në një terren tepër të vështirë për t’u ngjitur ndodhen disa shpella të vogla që banorët e labërisë i quajnë ‘qasma’. Novruzi ngjitet atje lart dhe prej andej tregon për pamjen që sheh dhe përse ka shërbyer ky vend që duket mistik. Në to dallohen gurë të skalitur në formë poltronesh, shkallë për t’u ngjitur në to si dhe kamaret me gjurmët e tymosura nga flaka e qirinjve. Nisur nga përmasat, tipologia dhe teknika e ndërtimit, manastiri i Kllogjerit mendohet të jetë ndërtuar në shekullin e 15. Në një dokument osman të shekullit të 18-të përmendet se kisha e Kllogjerit është djegur dhe kërkohet të merren masa për shkaktarët. Edhe sot e kësaj dite në muret e kishës dallohen gjurmët e djegies të lëndës drusore që përdorej për forcimin e mureve e të trarëve. Jeta e banorëve të fshatit të vjetër në fund shekullin e 18-të dhe gjatë shekullit të 19-të ka qenë e lidhur ngushtë me përgatitjen e gurëve për armët e strallit.
Albanologu Hahnn që vizitoi Shqipërinë në vitin 1854 shkruan “ Gurët e strallit. Më të mirët nxirren në Drashovicë, një orë e gjysmë në lindje të Vlorës dhe shkojnë deri në Belgrad, por pjesa më e madhe çohen në Shkodër, e cila furnizon edhe Malin e Zi me këtë artikull. Më bëri përshtypje kur më thanë ,se atje ky gur nxirrej jo me xhepa, por me shtresa…Xeherori punohet prej vetë banorëve të fshatit, të cilët, përpara kasolleve të tyre, ulen mbi gur dhe e punojnë atë me një çekiç të vogël. Edhe në rrugët e Janinës i sheh këta gurgdhendës tek rrinë përgjatë mureve kërrusur mbi gurët e tyre dhe që ngrenë kokën vetëm atëherë kur i pyet ndonjë blerës…”
Edhe sot e kësaj dite gjurmët e minierës së hapur të gurit të strallit shihen kudo. Sapo lë fshatin e ri dhe fillon të ngjitesh rrugës për në fshatin e vjetër ndeshesh me ashkla stralli si mbetje të punimeve të gurit. Në fshatin e vjetër në të dyja anët e përroit të Saraçenit kudo gjenden copëza të shndritshme të këtij guri vullkanik. Për nxjerrjen e gurit të strallit, nga mademi, punonin qindra vetë, jo vetëm banorë të fshatit të Drashovicës, por edhe banorë të ardhur nga e gjithë krahina. Miniera për nxjerrjen e gurëve shtrihej në pjesën më të lartë të kodrave duke filluar nga Gropa e Kallafetit në veri e deri në Këmbat e Markos në jug. E gjithë miniera ndahej në tre pjesë, në mademin e Kallafetit, të Gufës dhe të Llustrave. Në Gufë e në Llustra, punëtorët e minierës kanë hapur në shkëmb puse 20 shkallë të thella për grumbullimin e ujit të pijshëm. Në to mund të gjeje ujë edhe në muajt më të nxehtë të vitit. Ky ujë sigurohej nëpërmjet kondensimit të ajrit të ngrohtë kur binte në kontakt me faqet e ftohta të gurta të puseve. Nga masivët e strallit, banorët e fshatit duke i copëtuar përgatitnin pafka bifaciale kuadratike me përmasa 2 herë 2 cm. Nëpërmjet goditjeve të tyre në një gjuhëz metalike të dhëmbëzuar realizohesh ndezja e barutit te armët e strallit. Pasi lë rrënojat e manastirit të Kllogjerit po të ecësh 20 minuta më në jug të saj, një shteg këmbësorësh të çon te burimi i Llustrave. Pranë burimit ndodhet Shpella e Brumbullit. Brez pas brezi deri në ditët tona, është transmetuar një legjenda për të. Thuhet se, shumë kohë më parë, qindra skllevër punonin ditë e natë në këto anë për të nxjerrë gurë për ndërtimin e kalave e të urave. Duke punuar në njërën nga këto shpella dalta goditi në folenë e brumbujve. Prej andej dolën mijëra brumbuj e filluan të sulmonin skllevërit duke u lëshuar atyre thumba të helmatisur, asnjëri prej tyre nuk mundi të shpëtonte. Qysh atëherë kjo shpellë quhet “Shpella e Brumbullit”. Në brendësi të kësaj shpelle dallohen qartë gjurmët e daltimeve dhe vendet e gurëve masivë të zhvendosur prej andej. Jo shumë larg nga kjo shpellë ndodhen tre bodrumet e Markos. Ato janë gropa nga të cilat, edhe prej këtej në antikitet janë nxjerrë blloqe gurësh. Gurët kuadratikë, me përmasa ciklopike janë të punuara në vend pasi pranë guroreve ka grumbuj ashklash të nxjerra gjatë daltimeve. Mendohet se një pjesë e gurëve të punuar të jenë vendosur në themelet e kalasë së Kaninës e pjesa tjetër në kalanë Markos, për të cilën ende nuk është përcaktuar vendndodhja.
Drashovica është e pasur edhe në nëntokën e saj. Gjetjet arkeologjike janë interesante dhe dëshmi e lashtësisë së fshatit, por edhe e kulturës që ka ekzistuar në këto anë.
Gjetjet rastësore të objekteve arkeologjike si vegla guri të zbuluara në vendbanimin mezolitik të Këndetit e ato të gjetura në gropat e shumave mbi fshatin e vjetër të Drashovicës si dhe prania kudo e gurëve të strallit aq shumë të kërkuar nga njeriu primitiv dëshmojnë, se jeta këtu i ka fillimet qysh në periudhat më të hershme, ato të prehistorisë. Dy objektet masive të gjetura në sheshin e Shumave, si dhe Majat e Heshtave që janë pjesë e koleksionit të gurtë të Këndetit, flasin për një nivel të lartë jetës e të kulturës primitive të banorëve më të hershëm këtu si pjesë e bashkësisë primitive të Lumit të Vlorës.
Në shtator të vitit 2016, pas rënies së reshjeve në vendin e quajtur Kavake dolën në dritë pjesë të një strukture ndërtimore të punuar me gurë të mëdhenj shtufi. Brenda strukturës dhe në afërsi të saj gjenden kudo fragmente qeramike e lëndë ndërtimore që i takojnë shekullit V e IV para erës sonë. Gërmimet arkeologjike janë ato që do të përcaktojnë planimetrinë e ndërtimit dhe anën funksionale të saj. Me shumë interes janë edhe dy objekte arkeologjike të zbuluara në lagjen Pallamillo. E para, është një gur varri që i kushtohet vdekjes së një nëne bashkë me bijën e saj ende e vogël. Stela “nënë e bijë”për vlerat që ajo mbart është bërë objekt studimi nga specialistë arkeologë e etnografë. Në të janë të skalitura në reliev të dy figurat. Ato mbajnë veshur nga një fustan të gjatë me mëngë deri te bërryli dhe me pala që fillojnë pak mbi mesin e trupit. Nëna ka vendosur mbi kokë një kurorë gjysmë rrethore. Në krahun e majtë të figurave gjendet dedikimi që mbyllet me fjalën lamtumirë. Objekti I dytë është një gur vari që i kushtohet një gurskalitësi ose një punëtori të minierave. Edhe ky objekt është punuar në reliev. Trajtimi i të dyjave stelave, prania e kurorës mbi kokën e nënës e trajtimi i thjeshtë i figurave, i ka shtyrë studiuesit të mendojnë se ato datojnë pas periudhës së Krishtërimit, ndoshta në shekullin e 2-të e të 3-të të erës sonë. Pranë monumentit të Drashovicës, 300 metra mbi rrugën nacionale, në vendin e Quahtur “sheshi i mëne” gjatë punimeve të tokës zbulohen disa objekte arkeologjike që i takojnë periudhës paleokristinae. Inventari i gjetjeve përbëhet nga një kolonë guri në dy pjesë me diametër 117 cm dhe rreth 1 m i lartë, gurë mokre punuar me gurë të zi vullkanikë, profil qypi, dhe mbetje tjegullash dhe enë qeramike. Mendohet se këto materiale i takojnë një vile të vetme ose të një stacioni rrugor, pasi gjetjet janë të zbuluara në anën e rrugës së vjetër të karvanëve. Nga Drashovica largohemi të lodhur nga rrugëtimi i gjatë, me ngjitje e zbritje rrafshinash e luginash, rrëpira të mbuluar me gurë të mprehtë e të rrëshqitshëm, por të kënaqur se kemi mundur të shkelim në vendet që përbëjnë historinë e Drashovicës.
Në vende ku pak vetë kanë shkuar, përfshi këtu edhe banorë të fshatit, për të treguar ndoshta për herë të parë historinë dhe lashtësinë e Drashovicës, e cila nuk është e dalluar dhe e njohur vetëm për luftërat, por edhe për kulturën, gjuhën, zakonet, minierat e strallit, manastirin, kishën, ndërtimet e tipit ‘kullë’ dhe të tjera veçori që nuk i gjen shpesh në fshatra të tjerë.
Në fund të rrugëtimit e besuam se përse Drashovica është e destinuar dhe e bekuar për të bërë histori, duke sjellë në mendje edhe historinë e një banori të fshatit, i cili kur kishte shkuar jashtë shtetit, rastësisht kishte takuar një gjerman që kishte qenë ushtar në Drashovicë në Luftën e Dytë botërore dhe ai i kishte folur me nostalgji për bukuritë e pasuritë e Drashovicës.