Ai është një nga pesë fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm, që bashkë me Bolenën, shënon kufirin veriperëndimor të Kurveleshit me krahinën e Mesaplikut. Nga ana administrative, Kallarati sot është pjese e komunës se Vranishtit të rrethit të Vlorës.
Fshati i Kallaratit ngrihet në një terren kodrinor që shtrihet në të dy anët e rrjedhjes së sipërme të Shushicës, poshtë Kuçit.
Nga verilindja e lindja kufizohet me Bolenën, nga juglindja e jugu me Kuçin, nga perëndimi me Pilurin dhe Himarën, kurse nga veriu e veriperëndimi me Vranishtin. Kallarati ka një sipërfaqe të përgjithshme – me toka bujqësore, kodra e male – prej rreth 30 km².
Tokat e bukës shtrihen kryesisht në të dy anët e lumit të Shushicës dhe në zonën kodrinore. Kodrat zënë rreth 50 % të sipërfaqes së territorit të tij.
Është fshati më i ulët i gjithë Kurveleshit, në lartësinë mesatare 354 m mbi nivelin e detit. Përmes tij kalon lumi i Shushicës dhe rruga automobilistike Vlore-Kuç-Borsh, që gjarpëron përgjatë brigjeve të lumit.