Nju Jork – OKB: Hetim të shpejtë dhe transparent për vdekjen e Khashoggit

Nga: Arian Jorgaqi

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres deklaroi se është thellësisht i pikëlluar nga vdekja e konfirmuar e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ndërkohë që kërkoi hetime të shpejta dhe transparente për ngjarjen.

Komentet e tij u bënë pasi Arabia Saudite pranoi se Khashoggi ishte vrarë pas një grindjeje brenda konsullatës së saj në Stamboll.

Khashoggi llogaritej i zhdukur që nga fillimi i tetorit, kur hyri në ndërtesën e konsullatës saudite në Stamboll.

“Sekretari i përgjithshëm është thellësisht i pikëlluar nga konfirmimi i vdekjes së Jamal Khashoggit”, deklaroi zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric.

“Ai i dërgon ngushëllime të sinqerta në adresë të familjes dhe miqve të Khashoggit”, shtoi ai.

”Guterres thekson nevojën për një hetim të shpejtë, të plotë dhe transparent për zbardhjen e rrethanave që çuan në vdekjen e Khashoggit dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga përgjegjësit”, thuhet në deklaratë.

Sipas pohimeve të televizionit shtetëror saudit, lidhur me rastin e vdekjes së Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll, janë arrestuar 18 shtetas të Arabisë Saudite./ a.jor.

JU JORK, 20 tetor /ATSH-AA/

Loading...