Prespa – Dashuri me shikim të parë

Dashuri me shikim të parë. Ndjenjë e mrekullueshme qetësie të pushton kur para të shtrihet një pamje e mrekullueshme e një liqeni që për një moment të duket det. Qetësia shpirtërore që të ofron nuk krahasohet me asgjë tjetër dhe ky liqen, liqeni i Prespës është i pakrahasueshëm…

Prespa ose Liqeni i Prespës është njëri ndër liqenet me ujëra të freskëta në Evropë që u takon tre shteteve Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë me një sipërfaqe të përgjithshme prej 313.6 km2.

Prespa është liqeni më i thellë tektonik në Ballkan me 853 metra thellësi. Si tërësi ndahet në dy liqene: Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël.

Prespa e Madhe ndahet në mes tre shteteve: Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Prespa e vogël që ka shtrirje të përgjithshme prej 138 km² ndahet vetëm në mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Vetëm kur e viziton Prespën e ndien thellë mahnitjen nga peizazhet e shumta të saj, liqenet dhe malet që e rrethojnë zonën i japin asaj një pamje të rrallë. Me 9 fshatra të vendosur në gjoksin e maleve që përbëjnë komunën e Liqenasit: Me Kallamasin, Goricën e Madhe, Gorica e Vogël, Gollomboçin, Diellasin, Liqenasin, Lajthiza, Zaroshka dhe Cerja ku jetojnë afërsisht rreth 5 mijë e 500 banorë. Malet e lartë të bleruar që e kalojnë lartësinë mbi 2000 m lugina dhe shpate të vendosur mbi kaltërsinë e liqeneve me brigje të banuar krijojnë atë konfiguracion të papërsëritshëm. Kështu i mbushur me këto kontraste bukurish, me një kulturë të lashtë, me ushqim të mirë dhe një mikpritje bujare. Këto kushte të favorshme klimatike, ujërat e pastra të burimeve e përzemërsia e banorëve janë joshëse dhe të ofrojnë relaks në çdo stinë të vitit. Por bukuria e vërtetë e Prespës janë dy liqenet e tij me katër ishujt në brendësi të tyre. Një i moshuar nga Gollomboçi na tregon legjendën e rrallë për këto dy liqene.

Një plak i moshuar nga Gollomboçi na thotë se këtu ku ndodhet liqeni i Prespës ka qenë një qytet shumë i madh. Sipas gojëdhënës së kaluar brez pas brezi, një ditë djali i mbretit që drejtonte qytetin kishte dalë nëpër pyll dhe aty rastësisht takon një zanë pylli shumë të bukur të quajtur Nereida. Djali i mbretit mahnitet nga bukuria e saj dhe i kërkon dorën për t`u martuar me të. Por, Nereida refuzon duke i thënë djalit të mbretit se nëse ata martoheshin do të ndodhte një fatkeqësi shumë e madhe. Por djali i mbretit i verbuar nga dashuria e mori për nuse zanën e bukur Nereida. Dhe shumë shpejt pas martesës u hap qielli, erëra të forta dhe shi i rrëmbyer mbyti të gjithë qytetin duke krijuar një liqen të madh që u quajt liqeni i Prespës. Sipas legjendës dhe lulet që ndodhen në sipërfaqen e liqenit janë shpirtrat e njerëzve të mbytur.

Ndërsa një legjendë tjetër thotë se në një fshat, aty rrëzë malit, gjendej një çezmë e madhe. Në këtë çezmë mbushnin ujë të gjithë njerëzit e fshatrave përreth. Çezma e kishte ujin e kulluar si argjendi e të ftohtë brisk. Një mbrëmje, një nuse që sapo ishte martuar në këto fshatra, mbushi ujë e fundit ne këtë çezmë dhe harroi që ta mbyllte, kështu që për gjithë natën rrodhi shumë ujë, saqë e mbushi fushëgropën plot. Prej kësaj çezme u formua liqeni dhe, sipas emrit të vendit, Prespë, u quajt edhe Liqeni i Prespës.

Një nga sektorët më të zhvilluar është edhe ai i peshkimit. Peshkimi është një sektor me përparësi, sidomos për fshatrat që janë në afërsi me bregun e liqenit. Para vitit 1990, në Komunën e Liqenasit ishin dy brigada peshkimi me 5 (pesë) motobarka, që bënin gjuetinë e peshkut. Pas vitit 2002, u krijua një shoqatë peshkimi dhe u licencuan 30 peshkatarë. Nga llojet e peshkimit, më të përhapur janë: peshkimi me rrjeta, me pezaul, potisok dhe me grep. Në gjuetinë me rrjeta ka disa rrjeta që janë me dimensione të vogla që kapet peshku i vogël dhe nuk është i konsumueshëm. Me pezaule bëhet peshkimi në kohën e mbarështimit të peshkut: cirones, klenit, mrenës dhe skllobusit.

Liqeni i Prespës, është një nga zonat tërheqëse turistike të Ballkanit, përveç bukurive të jashtëzakonshme natyrore shquhet për florën dhe faunën mjaft të pasur, por atë po e kërcënon një fenomen i rrezikshëm natyror. Një grup shkencëtarësh zviceranë dhe austriakë, gjatë një studimi kanë konstatuar se niveli i këtij liqeni ka rënë 10 m. Nga 54 m që ka qenë thellësia e liqenit, pas matjeve të bëra me mjete të sofistikuara dhe bashkëkohore, ka rezultuar se aktualisht thellësia e tij është 44 m.

Jo vetëm kaq, por ata kanë vënë re një çarje në tabanin e liqenit, e cila ka sjellë humbjen e nivelit me dhjetë metra. Studiuesit pohojnë se rënia e nivelit të liqenit të Prespës do të ketë pasoja edhe për liqenin e Ohrit, i cili rreth 70 për qind të furnizimit me ujë e ka nga Prespa. Gjithashtu, nga kjo fatkeqësi natyrore do të preken edhe burimet e Tushemishtit dhe ato të Shën Naumit. Lajmi i dhënë nga shkencëtarët zviceranë dhe gjermanë ka shqetësuar qeverinë, por masat e marra janë minimale.

/konica.al/

Loading...