Gjirokastër, punime intensive për sistemimin e kalldrëmeve të Pazarit

Në qytetin e Gjirokastrës vazhdon puna për sistemimin e kalldrëmeve në pazarin karakteristik të qytetit.

Shoqata TID Gjirokastra (Zona për Zhvillimin e Turizmit), një organizatë jofitimprurëse që përfaqëson interesat e bizneseve dhe pronarëve të zonës bën të ditur se ky po kryhen punime intensive për restaurimin e kalldrëmeve, rehabilitimin e infrastrukturës nëntokësore.

Sipas saj, ditët e fundit u zhvillua edhe një mbledhje mes përfaqësuesve të Fondit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit (AADF), bizneseve të TID Gjirokastër, FSHZH dhe firmës së ndërtimit LEON Construction, ku u diskutua mbi ecurinë e projektit për rehabilitimin e infrastrukturës nëntokësore dhe restaurimin e kalldrëmeve deri më tani.

Problemet që biznesi ngriti ishin: përfundimi i punimeve në afatin e caktuar, shtimi i fuqisë/brigadave punëtore, të punohet me orare më të zgjatura në muajt në vijim, si dhe përfundimi i trotuareve deri në fillimin e sezonit të ri turistik, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së turistëve.

Pazari Karakteristik i Gjirokastrës, ky ansambël tregtar dhe kulturor fsheh në brendësi të tij vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike. Ai është ndërtuar qysh në shekullin e XIX dhe ka një stil tipik oriental.

Ndërtuar shekuj më parë, Pazari i Gjirokastrës ishte në rrënim e sipër. Por falë një projekti për rikonstruksionin e tij produkt i një partneriteti të shkëlqyer mes Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe bashkisë Gjirokastrës, në përfundim të fazës së parë ai ka pësuar ndryshime.

U restauruan fasada, mure, çati, vetrata, taraba, ndriçuesit e kompleksit karakteristik, duke i dhënë një start pozitiv tregëtisë, zejtarisë, artizanatit, hotelerisë, haneve, bujtinave të lëna për dekada jashtë derës së “shtëpisë” së tyre.

Gjirokastra shtrihet në jug të Shqipërisë. Për vetë relievin dhe pozitën gjeografike Gjirokastra është një nga vendet më tërheqëse për turistët në Shqipëri. Kalaja mbresëlënëse plot histori e mistere, pazari i vjetër i shekullit XVII, shtëpitë e gurta me arkitekturën e rrallë, lagjet e vjetra karakteristike, teqetë dhe kishat, historitë e fshehura në çdo skutë të qytetit, muzeumet dhe monumentet, përbëjnë kontekstin shumëshekullor e tepër origjinal të një mënyre jetese dhe organizimi shoqëror të ruajtur deri në ditët e sotme.

Këto vlera e bënë Gjirokastrën më 29 korrik 2005, të shpallet monument i trashëgimisë kulturore botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s. Gjirokastra mbetet qendër e një jete të gjallë kulturore e historike dhe po përjeton një zhvillim të turizmit gjithëvjetor për specifikën arkitekturore që bart./atsh

Loading...