Etnokutura shqiptare na mbush me frymë kombëtare dhe ka mozaikë ylberorë e shirita të artë të pashtershëm ndër shqiptarë, nga Kosova në Çamëri, nga Shqiptarët e Malit të Zi në Shqiptarët në Maqedoni, nga Arbëreshët e Italisë në Arnautët e Turqisë e kudo nëpër botë, ku ka mbirë fara ilirike e Shqiptarëve. Si pjesë e së tërës sonë shpirtërore, kënga labe është një gjerdan i artë në thesarin e folklorit shqiptar.
Kënga labe ka lindur qysh me labin e parë mbi këtë dhè, me banorin e parë, që u shfaq, që është rritur, ka jetuar dhe ka ndërtuar jetën në këto troje e hapësira të Shqipërisë Jugperëndimore e Jugore , që i thonë Labëri. Kënga labe është sa mosha e maleve tona, e lumenjve tanë, është sa mosha e kësaj toke. Por, këndohet një këngë ndër viset tona labërore: “Farën që s’ ësht’ jona/ toka jonë s’e rrit…”.
Kjo njësi folkorike, kjo mrekulli e kulturës shpirtërore të banorëve të krahinës etnografike të Labërisë na thërret kujtesën vetiake e atë sociale, kujtesën e shkruar dhe atë të transmentuar brezash gojë më gojë, si stafetë identiteti dhe dinjiteti, krahasuar me të tjerët. Nuk kemi dëgjuar asnjë banor të Labërisë deri më sot të thotë: “Hajt t’ja marrim një isopolifoniçe!”, por “Hajt t’ja marrim një zë/ të na bëhen dy zë…, labçe, vënçe, himarioçe”. Ia merr njëri; ia kthen tjetri, ai që thyen këngën, ia hedh i treti dhe të tjerët mbushin këngën (apo bëjnë iso, siç është futur në qarkullim edhe ky term).
Asnjëherë nuk nis kënga labe me iso. As dje, as sot, as nesër, sepse “Farën që s’ ësht’ jona/ toka jonë s’e rrit…”.
Ja një variant i një njësie folkorike nga Lumi i Vlorës, regjistruar në Mesaplik, më 20. 01. 2009: “Hajt, t’ja marrim lapçes – o,/ vënçes – o, braçes – o;/ për ca halle, për ca derte/ kënga jonë gjym po vete!…” ( po e shqiptojmë siç e kemi dëgjuar dhe shkruar këtë këngë labe, sepse folkori e ka specifikë parimin fonetik). Në Forumin për debat “Polifonia jonë popullore, krijimtaria e hershme e këtij populli të lashtë”, organizuar nga ASHASH (Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencës) me kryetar kompozitorin e shquar Limoz Dizdari, ish – kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë), vij si bir i këngës, si bartës i saj e përhapës i bukurive shpirtërore të labçes tonë fisnike, hijerëndë e tërë dritë. Këndoj pak labçe, por nuk mund të klasifikohem këngëtar i saj, se këngëtarët labë janë princa në Mbretërinë e Polifonisë Popullore Shqiptare. Karakteri sinkretik i folkorit nuk realizohet me ansamble të përziera pa vlera përbashkuese, me grupime laramane, pa identitet, pa dinjitet, pa hierarki vlerash specifike artistike, pa atë magjinë e të harmonishmes si shprehje e të bukurës estetike në folkorin e krahinës etnografike të Labërisë e më gjerë. Identiteti ka të bëjë me të qenët i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë vetëm me vetveten në disa veçori e tipare që shërbejnë për t’u njohur pa vështirësi si i tillë, të qenët po ai; shprehje e individualitetit; vetvetja e pranueshme dhe e pëlqyer nga të tutë dhe nga të tjerët. Dinjiteti është tërësia e vlerave morale të njeriut a të një grupi njerëzish (nderi, krenaria etj.); vetëdija që ka njeriu a një grup njerëzish për këto vlera e për të drejtat e veta në shoqëri dhe nderimi i tij për vetveten; shfaqja e jashtme e kësaj vetëdije dhe e këtij nderimi. Fjala vjen: dinjiteti kombëtar, dinjiteti artistik, dinjiteti folkorik, dinjiteti i këngës labe si cilësia e mirë a vlera e lartë e kësaj pasurie shpirtërore të labëve që e bën atë të çmohet. Dhe kënga labe, polifonia popullore është pjesë identitare e së tërës dinjitoze të folkorit shqiptar.
Ndërsa termi “isopolifoni” nuk është shkencor dhe as i praktikueshëm në ato hapësira, ku banorët këndojnë labçe, në variantet e tyre, me shumë zëra e pa vegla muzikore (apo dhe me fyell e me culë). Nuk e bën dot pis këngën polifonike popullore shqiptare, atë këngë labe që për ne është “ilaç e shërim”, se ajo rrjedh e kulluar, se ajo ka gurrën popullore, që nuk shteron kurrë. Me polifoni ne kuptojmë të kënduarit shumëzërësh harmonik, ndërsa me iso kuptojmë barazi, njëtrajtshmëri në këngën tonë, gjë që nuk i shkon për shtat natyrës këngëtore pa vegla muzikore (apo dhe me dyjare e fyell) në Labëri e në trevat e tjera që i përkasin këtij Atlasi folkorik shqiptar. Termi “isopolifoni” bezdis folkordashëshit, dashamirësit e këngës labe, i bezdis siç bezdis mushkonja banorët te veshi, në shtëpi të tyre. Do të na falni, por këngës tonë labe, polifonisë tonë popullore i shkoka për shtat fjala e urtë: “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara…”. Lodrat “isopolifonike” nuk janë të këndshme, nuk janë argëtuese. Ato vetëm sa na shkaktojnë bezdi, mërzi, mëri,shqetësime e zbrazëti shpirtërore të panevojshme. Si deri më sot, sa të jetë jeta e labëve mbi këtë dhè, kënga labe shpërndan e do të përcjellë vetëm dashuri e mirësi, madhështi e bukuri të shëndetshme dhe të freskët ; në asnjë rast nuk ushqen se s’mund të ushqejë urrejtje. Ky është një parim moral i këngës labe, qysh në gjenezën e saj. Kënga labe, polifonia jonë këndohet edhe pa iso, por iso pa polifoni nuk ka, as ka patur dhe as mund të ketë, siç e pohon dhe krijuesi popullor dhe studiuesi njohur i këngës labe Llambro Hysi. Polifonia është e tëra, isua është pjesa. Në Labëri këngëtarëve të isos u thonë mbushësa: “Mbusheee!”- bën kërkesën me këngë marrësi, pasi e kthen thyesi, që do të thotë se u kërkon pjesëmarësve që ta mbushin këngën, që të vejë sa më bukur, sa më mirë, që të kënaqen ata që e këndojnë, por të kënaqin dhe të tjerët me harmonizimin tingëllues artistik dhe estetik të këngës. Apo : “Iso, djemaaa!” “udhëron” me këngë i pari i këngës, korifeu. Nga përvoja gjysmë shekullore me këngën labe të Tërbaçit dhe mbi 35 vjet me këngën labe në tërësi, gjykoj se disiplina artistike është më e fortë dhe më e rreptë se disiplina ushtarake ( në kontekst).
Mbushe këngën do të thotë bëj iso, bëj atë zërin e njëtrajtshëm, sinkronik, të qëruar, jo të çjerrë, por të kthjellët dhe të pastër që zgjatet pa u ndryshuar dhe që shoqëron e mbështet zërat kryesorë në një këngë me shumë zëra, siç është kënga popullore polifonike labe. Isua është llaçi që mbush boshllëqet midis gurëve të rëndë të fortesës së lashtë që quhet këngë labe, apo me emërtimin e gjuhës standarte shqipe – polifoni. Asnjë kështjellë nuk e ka marrë emrin nga llaçi apo nga gurët, por nga vendi, pronari, ideatori, nderimtari, kapedani: Kalaja e Gjirokastrës, Kalaja e Kaninës, Kalaja e Ali Pashës, Kalaja e Teutës, Kulla e Devish Aliut… Ndërsa kënga: Kënga Kaninjote, Kënga Himariote, Kënga Qazimademçe, Kënga e Neço Muçës, Kënga Tërbaçiote e Kujtim Micit, Kënga Pilurjote e Lefter Çipës, Vallja e Vranishtit, etj. “Shërbimi i vërtetë, jetësor dhe shkencor ndaj polifonisë shqiptare, – thotë prof. dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh, – është shërbim ndaj kulturës sonë qytetare, për etnologjinë e shqiptarëve’.
grup-lab-gjirokaster
Ndërkohë, dëshirojmë të kujtojmë një tjetër thënie popullore: “Jo të gjitha mizat fluturake bëjnë mjalt”. Marrim shkas nga kjo fjalë e urtë për të theksuar se, edhe në trojet labe, në hapësirat e krahinës së madhe etnografike të Labërisë, jo të gjithë banorët labë apo jo labër, që jetojnë në këto vise, na shkaktojnë emocione pozitive; jo të gjithë na japin kënaqësi artistike, estetike, etiko – morale dhe humane. Jo të gjithë ata që mblidhen e këndojnë labçe kanë nivel të lartë artistik dhe cilësi në traditë apo me prurjet folkorike. Deformimet çojnë në rënie. Kënga labe u deformua nga “turbofolkët”, “u zbërdhyl”, por nuk ra. Qe fat. Gjykojmë se nuk vlen ta trajtojmë fare folkorin e turbulluar, apo siç i flasin me pekule me cilësorin “turbofolk”. Megjithëse edhe folkori i turbulluar e pati një element për ta vlerësuar. Mbas rënies së sistemit monist, u duk se u shua labçja. “Tallavaistët” u munduan për përfitime ta rrëmbenin bran dhe e rrëmbyen ca kohë “zonjën e rëndë”, labçen tonë, që një jetë të tërë ka qenë “ballëlart e mal në këmbë”. Por, fatmirësisht, nuk u zhduk dot kënga jonë. Ky qe fat për ne. Por fatin njerëzit e bëjnë, e mbajnë, e ruajnë dhe e përcjellin në shoqëri për mirësi. “Zonja e rëndë” e përballoi me sukses edhe këtë “operacion kirurgjik”. Se kënga labe është gurrë e kulluar e nuk është matarà, aq më keq s’ mund të jetë kurrë një matarà e ndryshkur, e shpuar… Jemi të mendimit që detyra dhe misioni ynë është që ta nderojmë zonjën e rëndë me thesare etnokulturore, Këngën polifonike popullore shqiptare, gurrën popullore të kulluar si ujë bore, me dritë të ngrohtë si diell, që qëndron lart si shqiponjat në qiell. Nxisim, paraqesim, përurojmë vlerat folkorike dhe risitë e pranuara, të përdorura dhe të përhapura në komunitetet (bashkësitë) me labër, sepse pëlqehen nga banorët përkatës. Kujtoj nga babai im i paharruar Rexhep Abazi, (1935 – 2009, me universitet, mësues dhe këngëtar, ndër krijuesit e grupit të madh të Tërbaçit dhe kthyesi i parë me grykë i këngës së madhe: “Nëna shqipëtare mbesë e ilireshës”, me marrës Sinan Hoxhën dhe hedhës Mejdi Skëndon), që në vitin 1966 ka ardhur në Tërbaç dhe në Vranisht, në tokën e duhur për t’i shërbyer farës së duhur labërishte vetë prof. Zihni Sako, që njihet si babai i folklorit shqiptar dhe themelues i të parit Institut Folklorik në Shqipëri.
Kur ishim të vegjël, shikonim më të rriturit që mblidheshin grupe – grupe dhe i dëgjonim si këndonin aq mirë, aq bukur, aq natyrshëm. Na dukej se konkuronin me biblibat e malit. M’u kujtua një burrë i asaj kohe. Pa sy qe. Po Zoti, në vend të gurmazit, i kishte vënë një bilbil në fyt, thoshnin pleqtë. Prënjo Xhaka quhej. Ishte biblbil gjyzar, siç thoshnin lisat e moçëm në vitet ’65 -‘70 të shekullit XX për këtë banor të Tërbaçit, që s’ kishte sy, po zë kënge si ai s’kam dëgjuar deri më sot. Ata burra, kur bëheshin tok, sidomos pasdarkeve apo nëpër dasma e festa tradicionale, këndonin këngë të shtruara, në shtrat, këngë tabani, këngë burimi, që të kënaqnin shpirtin me atë karakterin e tyre sinkretik, që e bën folkorin krijimtari artistike specifike. Me ato fjalë që ngjitnin, që zinin vend e mbaheshin mend, që i krijonin në moment, si të zgjedhura me dorë, si bleta zgjedh nektarin nëpër lule, vargje të atypëratyshme, sa të thjeshta aq sublime, me bukuri estetike, me melodi të pëlqyeshme, me një akustikë magjike, me veshjen karakteristike, që u kishte hije, në atë mjedis, në atë kohë dhe hapësirë praktikmi, kënga e atyre burrave të lartë e hijerëndë më dukej se vinte tek ne e kulluar nga një burim hyjnor. Me të drejtë gjeniu Kadare (vetëm burokratikisht ende i pashpallur si Nobelist nga Akademia Suedeze) e cilëson folkorin shqiptar “Autobiografia e popullit në vargje” (1971, 1980, 2002). Kur ishim të vegjël e të rriturit na merrnin pas, dëgjonim që flisnin për Këngën Himarioçe, për Këngën Smokthinjoçe dhe për këngën Tërbaçioçe. Kuptuam më vonë që, në vijë kronologjike, se këto tre variante, melodi, apo avaze, si flitej nëpër lokalitetet përkatës, ishin tre stilet muzikore që e pasuruan dhe e ngritën artistikisht këngën labe në veçanti dhe shtuan një shufër floriri në minierën e artë të Folkorit Shqiptar. Në atë kohë, (ende pa dalë televizioni) Radio Tirana kishte një program, Radio Posta quhej dhe jepte këngë që të zbukuronin botën e brendshme, të mbushnin shpirtin me dashuri, me ndjenja të larta se ishin kënëg të ngrohta, të bukura si thëllëza, jo si ca laraska e sorra që dalin fatkeqësisht sot (edhe ndër këto vise), kishte një emision me këngë popullore, i cili realizohej dhe me një nënndarje të titullura: Këngë labçe, vënçe, himarioçe, që më vonë nga studiuesit e folkorit u emërtuan këngë polifonike labe (Spiro Shituni, Agron Xhagolli, 1986: ndër figurat më të spikatura të folkoristikës shqiptare, me që kënga labe këndohet nga shumë zëra – shën im: A. H). Këngët labe himariote të Neço Mukës deri te Dhimitër Varfi, ato smokthinjote të Qazim Ademit deri te Hysen Ruka dhe Këngët labe tërbaçiote të Kujtim Micit me Sinan I. Hoxhën e Syrjat Hodon, janë tre maja malesh me trëndelinë në diell e suferinë, në Vargmalin Folkorik Madhështor të Folklorit Shqiptar, që shkëlqen në Etnokulturën Kombëtare.
grupi-i-himares
Shkëlqyen në ato vite stile e variante, si një mozaik ylberor, që e ngritën në nivele artistike të larta këngën labe me grupe të mëdha nga pesha specifike, si grupi i famshëm i Pilurit, i polifonëve magjikë të “Fosforinës shqiptare” të të madhit Lefter Çipa, me Ermioni e Katina Mërkurin, me Vangjel Gjiçalin e Qirjako Balën; grupi i Bënçës së Maliq Lilës së paharruar, me Golik Jaupin e papërmbajtshëm e Paro Zilfon – amazonë kënge; grupi i Vranishtit të Muhamet Tartarin të papërtuar, me Arap Çeloleskën e hekurt, Leonora Shkurtin buronjë vranishnjote; grupi i Tragjasit të Hamdi Pulos vargbrilant, me Beqir Laçen, Aranit Daupin dhe Tartar Avdulin e pashoq; grupi i “Violinave” të Lapardhasë me ustain e labërishtes Feti Brahimi e me bilbila si Nazif Çelën me Golik Likën e me thëllëza si Bardha Brahimin; grupi i Armenit të “Cinxërfiles” së Lefter Haxhirajt e pavdekshëm me burra kënge si Rrahmën Nuredini; apo gurin e çmuar folkorik Zeqo Hoxha me të tejlashtën monofoni të Kallaratit të Llambro Hysit. Po ninullat e wwNjerëzit dhe sot e kësaj dite pyesin: “Vasil Serës së Bratit, kush ia ka vendusur atë biblib në grykë, baba e nëna apo Zoti vetë”?! Nuk mund të mos kujtojmë me nderim, se nuk mund të mos udhëtojmë me këtë trajtesë sado të shkurtër nëpër visaret folkorike të këngës labe në Gjirokastrën e monumentit Folkorik Xhevat Avdalli, që ia la stafetën denjësisht Arjan Shehut e Mehmet Vishes me shokë. Po Tepelena, diamant me këngë e histori?! Po Saranda e Delvina, si “nuse bregdeti” e këngës labe ?! Idajet Duka me “Kaonët” ndez detin, jo më tokën e malin me këngët e tij mbushur zjarr atdhetar. Kalo Bregu i Vezhdanishtit vjen si gjëmim me zërin shpellë e, pas tij, na befason Vendim Zykaj. Po ky, Alush Milori i Progonatit, çfarë ka qenë – njeri apo shqiponjë labe që printe vallen burrërore?! Mallakastra që flakëron labërisht në stilin e saj, po Trebeshina e Rilinda Velajt që e bën këngë labe të bjerë era manushaqe, duke tejkaluar trojet tradicionalë të këngës labe?!…A e keni dëgjuar Yzeir Llanaj që kur këndon ndez Mallakastër e Labëri?! Po Piro Latifaj, Piro Hekali, me ato këngë epiko – lirike, që i krijon vetë dhe i merr aq bukur, aq ëmbël, aq me ndjenjë, saqë dhe gurin e drurin bën t’i qasen t’ia mbajnë këngës së tij?! Po korifeu i sotëm i valles së Vranishtit, kthyesi historik, Sinan Gjoleka që nuk luajti një ditë nga “vatani”, që është një spaletë morale e polifonisë labe?! Në krahë të korifejve Kujtim Mici, Lefter Çipa, Maliq Lila e Hamdi Pulo ecën Llambro Hysi, Muhamet Tartari e Feti Brahimi, profile të skalitur të krijimit poetik popullor, të zilishëm dhe nga poetët e letërsisë moderne, siç nënvizon Kadareja i madh. Në gjurmët e krijimeve të këtyre burrave labërues, që përbëjnë lartësi, ecën denjësisht Zaho Balili, Nertesi Asllani, Kristo Çipa, Felek Bleta dhe Nexhip Sera, i veçanti e “i padukshmi” me ato vargje jo të krijuara, por të pikuara me filigran shpirti e arti. Është nder për ne të përmendim emrin e fenomenit Vendim Kapaj që i bie fyellit e culës përsosmërisht, si ai?! Vendimi është monumenti i labërishtes në lëvizje. Po plaku Selman Pazaj nga Vranishti që prodhon e gdhend cula guri dhe i bie culës së gurtë si të na vinte nga një legjendë e gjallë?! Në sotshmëri, në vijim të traditës së treshes së famshme Sulo Bozhani, Leko Gjoleka, Bego Vangjeli, (që nga kohë e Dule Havarit) është grupi i Dukatit me Fatosh Likën e Bajram Hundën etnopërbashkues që është ngjitur në majë të Malit Folklorik. Dhe të tjerët ecin, fushave, brinjave, kodrave të shpirtit të gjerë të Folkorit Shqiptar, që kemi si visar ne labët, si pjesë e së tërës etnokulturore. Po këngëtaret virtuoze të Vranishtit Leonora Shkurtaj, Asime Skëndaj e Fiqirete Aliaj, në gjurmët e Sadihanë Brahimes e nënave të tjera të këngës?! Po Nazo Dautaj, Shpresa Kapo, Margarita Habili të Tërbaçit në gjurmët e traditës që solli Hadixhe Hodo, Natasha Hoxha, Bardha Kapo e Dashuri Mehmeti me ato kapedane të këngës grarishte tërbaçiote?! Po Bejushe Demaj Barjami e krojeve të Velçës? Po legjenda e Dukatit Pika Feruni, pasuar denjësisht në shtratin e këngës nga Taire Bozhani?! Po të spikaturat Nasije Merkaj dhe Eli Belaj të Kaninës?! Po Angjelina Islami e Mavrovës? Po Leni Çali e Himarës sot?! Po vajzat e Dhërmiut?! Po kthyes si viganin Nebi Xhaka apo vijuesin e tij Viron Laci ku gjen?! Kështu është në viset tona. Edhe në këngë edhe në valle. I pari ia merr këngës, këndon poezinë popullore me një melodi, në një variant që vetë ata, komuniteti e kanë pranuar e kanë pëlqyer, e praktikojnë dhe e përhapin. Më përpara, në odat e burrave a ku mblidheshin trimat e këngës (se dhe kënga paska trima!) këngë merrnin të gjithë burrat që ishin mbledhur në shoqërinë e këngës, me radhë, përndryshe nuk mund të ishe pjesëtar në atë grup. Kishte nivel, kritere e standarte kënga. Dhe duhet të ketë. Mujo Gjondeda, Mejdi Skëndaj, Kujtim Mici e Rexhep Abazi me shokë, kur hidhnin e kërcenin vallen e kënduar tërbaçiote, atë të sertën e të rëndën, atë të madhërishmen e papërsëritshme të viteve ’70 – të të shek. XX, këndonin si malet në këmbë, lartë, qartë e shqip: “More, di, more di, more diell e moj hënë!…”, apo : “Shqipëri, Shqipëri, Shqipëri, koshere blete!…” dhe tundnin shaminë në erë krenarisht në valle burrash e mateshin me retë e rrufetë mbi Çikë, në Malet e Vetëtimave. Ashtu kishte ardhur stafeta folkorike nga të parët, qysh nga lashtësia. Asnjëherë nuk na kanë thënë dhe në asnjë rast nuk kemi dëgjuar që të nis me iso: “Eee, aaa, ooo, e more diell e moj hënë,eee, ooo!”. Po kështu, memorja sociale më e afërt (viti 1978 e më tëhu) apo regjistrimet në bobina, në kaseta apo video e mban mend e ka dëgjuar, e ka parë Hetem Shkurtin, Arap Çeloleskën, Selman Alinë e Sinan Gjolekën me vallëtarët e vetëtimave labe të Vranishtit ta nisnin vallen e kënduar: “Lidhur si fishek gjerdani” apo vallen e Ismail Qemalit, atë për Labët me 300 pala fustanella, apo “Shpata jonë gris fermanë”, duke i deklaruar, duke i kënduar me melodi, sipas ritmikës së valles fjalët e tekstit poetik popullor: “…Lidhur si, lidhur si, lidhur si fyshek gjerdani…”, apo “Cili je, cili je, cili je ti more burrë?!…”, si dhe “Labëri, Labëri, Labëri, dyzet kështjella”, apo “Shpata jò, shpata jò, shpata jon’ grisi fermanë” dhe në asnjë rast ta nisnin me iso: “eee, ooo, aaa lidhur si…ooo, eee…”. [Absolutisht, kurrë nuk fyej ata njerëz apo ato komunitete që këndojnë me të tilla variante. Marrëdhëniet ndërkulturore, shkëmbimet shpirtëtrore janë vlerat e traditave ndërkomunitare dhe e takimeve të kulturave jomateriale me grupet e tjera, me kraninat apo dhe me popujt mesdhetarë, ballkanikë apo europianë. Foklori është konsulli i miqësisë midis popujve, kënga është ambasadorja shpirtërore e dashurisë dhe e miqësisë midis popujve tanë. I respektoj ata që e nisin këngë me iso, se ajo është bota e tyre shpirtërore, ashtu u pëlqen, ashtu këndojnë, por nuk është natyra jonë ajo mënyrë të kënduari, nuk është stili ynë ky model që na sajohet e na paraqitet]. E pra, e ka thënë shqip Bujku i këngës labe, mësuesi, poeti, këngëtari, drejtuesi dhe Dragoi i këngës së Tërbaçit, Kujtim Mici: “Farën që s’ ësht’ jona/ toka jonë s’e rrit…”. Një jetë të gjallë folkorike bëjnë këngët lirike të të paharruarit Lefter Haxhiraj në Armen me Rramën Nuredinin dhe këngët e epikës historike të Meleq Kapllanit në Kaninë me Piro Bregun, grupet e reja zinxhir të Pilurit me shpirtin e Kristo Çipës, grupi i djemve të Tërbaçit me Endri Hodon, grupi i mrekullueshëm i Bedro Berdos nga Dukati apo grupi i sotëm i Himarës me Katina Belerin e pakapshme, etj. Shkëlqimi i grupit të djemve të Bratit është shpresëdhënës se stafeta e këngës labe do të vijojë brezave, sa të jetë jetë mbi këtë dhè. Valltarët e rinj të Drashovicës janë një prurje e re dhe vlerë e shtuar në folkorin e sotëm të Labërisë së Vlorës dhe të Labërisë në tërësi. Me ta krenohet foklori ynë i sotëm. Të gjithë e duan majën, por jo të gjithë arrijnë. E rëndësishme është që rrjedh e nuk shteron kurrë ujët e kulluar nga Gurra Popullore.A.H