Nga Auron Tare
Nivicë, Kurvelesh (Tepelenë) – Tempulli i fundit Pagan në rajon që ende adhurohet nga banorët
Ndoshta Tempulli i fundit Pagan në rajon që ende adhurohet nga banorët vendas. I mbiquajtur “Maja e Seferajve” është një kodrinë e rrethuar me një pyll lisash. Një pamje e rrallë e Kanioneve të Nivicës dhe malit të Këndrevicës ku një shesh i madh i shtruar me pllaka guri dhe i rrethuar nga 5 lisa madhështore duhet të ketë qënë vendi i ritualeve të lashta.
Një mur rrethor ku banorët ndezin qirinj apo bëjnë kurban duke spërkatur vendin me gjakun e flive. Ndoshta ky vend mund të jetë Tempulli i fundit ku ende misteri i Lisit adhurohet. vendi përqark i mbushur me “Gurë Rrufeje” saktësisht një vend ku Zeusi hidhte flakën e tij. (vetëm nja 500 metra larg në 1978 u zbulua statujëza antike e Zeusit të Nivicës i datuar diku në shek V-IV p.k) Një Dodonë e dytë?
Ka shumë mundësi që edhe ky Tempull të ketë qënë i dedikuar mistereve të interpretimit të zhurmës së gjetheve të Lisave të shenjtë nga priftërinjtë e Orakullit të Lisave ‘Selenjtë” që flinin përtokë me këmbët e palara”
Homeri na thotë se “Akili ju lut Zeusit Lordit te Dodonës së Shenjtë”
Më poshtë këtij Tempulli një vend tjetër i shenjtë Qisha (kisha) e Vinjës ndoshta një kapele paleokristiane. E pamundur të gjesh një tjetër pejsazh të mbushur me kaq shumë histori ku shekujt nuk ndjekin njëri tjetrin por thjeshtë bashkëjetojnë.