Vlora është një nga vendet më të pasura me histori në Shqipëri.
Krahina është banuar që në periudhën antike. Gjurmët e para datojnë në shek. VI para Krishtit.
Në këtë periudhë u ngritën në gjirin e Vlorës katër qytete antikë: Orikumi, Thronioni (Kanina), Triporti dhe Aulona. Secili prej këtyre qyteteve ka historinë e vetë të lindjes, lulëzimit dhe rënies.
Dhe të tërë së bashku dëshmojnë historinë e lashtë të qytetërimit antik të trevës së Vlorës. Gjurmët më të lashta të qytetërimit i përkasin Orikumit të sotëm, i cili ruan ende brenda tij rrënojat e vjetra të qytetit, i cili luajti një rol tepër të rëndësishëm në luftën civile mes Çezarit dhe Pompeit.
Si fillim atë e mbante Pompei si stacion për flotën e tij ushtarake, por më pas, në janar të vitit 48 para Krishtit, u pushtua nga Cezari.
Qyteti duket se ka pasur një zhvillim relativisht të rëndësishëm ekonomik përderisa monedhat e tij të para janë prerë që në shekullin III para Krishtit. Në kohën bizantine dhe më pas gjatë Mesjetës Orikumi përmendet me emrin Jeriko.
Në kohën e pushtimit osman, në fillimin e shekullit XV, turqit e pagëzuan qytetin me emrin Pashaliman, emër që përdoret nga banorët vendas shumë shpesh edhe në kohën e sotme.
Aulona e dikurshme dhe Vlora e sotme është qendra më e rëndësishme qytetare, tregtare dhe turistike e bregdetit jugperëndimor të Shqipërisë. Ngjarja më e rëndësishme historike për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë është Shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, kur patrioti Ismail Qemali do të ngrinte në Vlorë flamurin kombëtar dhe do të krijonte qeverinë e përkohshme. Gjatë luftërave të shumta, Vlora ka luajtur rol vendimtar në ruajtjen e kufijve tokësorë dhe detarë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Vlora do të shndërrohej në njërën ndër vatrat më të rëndësishme të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. 15 tetori 1944 është dita e çlirimit të Vlorës nga trupat gjermane.
Në vitin 1990 populli i Vlorës do të kontribuonte në rrëzimin e diktaturës, shkruan Qiriu. E që nga ajo kohë e deri më sot Vlora ka njohur zhvillime shumë të rëndësishme dhe të shpejta në shumë drejtime, ku turizmi qëndron në pararojë.