Një grup prej 20 turistësh italianë janë ngjitur ditën e djeshme në lartësitë e Malit Tomorr.
Turistët ishin të pajisur me mjete motorrike të përshtatura për të udhëtuar në terrene malore dhe të vështira.
Ata u futën në zonën e Tomorit nga Gramshi duke vizituar më parë pikat turistike që gjenden në këtë rreth, si Kanionet e Holtës apo dhe Ujëvarën e Sotirës, e më pas nëpërmjet rrugës së vjetër që lidh Gramshin me Beratin, u ngjitën në fshatrat malor të zonës së Tomorrit në pjesën jugore të tij.
Pas disa orë çlodhje në fshatin Gjerbës dhe shijimit të produkteve tradicionale të zonës, vizitorët e lartësive vazhduan rrugën nëpërmjet Kanioneve të Osumit ne drejtim të Përmetit duke vazhduar kështu aventurën e tyre malore në një terren tjetër të vështirë sikundër është rruga Skrapar -Përmet.
Ditët e ngrohta të fillim nëntorit, kanë sjellë mjaft lëvizje turistike në qytetin e Beratit, por në veçanti në Parkun Kombëtar të Tomorrit.
Drejtori i këtij parku, Fatos Nako tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ditët me diell të këtij muaji po shfrytëzohen mirë nga turistët vendas e të huaj që ngjiten drejt lartësive të malit Tomorr, duke vizituar shpatet, pyjet e zverdhura nga vjeshta, fshatrat piktoreskë dhe Kanionet e Lumit Osum.
“Një peizazh vërtet rural në fazën e përgatitjeve dimërore”, thotë Fatosi. Dimri në këto anë është i egër sepse zbret nga majat e thepisura të malit hijerëndë, ku ka mitin e saj Dodona Pellazgjike ose Dodona Dimërkeqe. Nën këmbët e saj shtrihen disa fshatra me një histori dhe traditë tepër të pasur si Dardha, Tomorri, Lybesha, Kapinova, Qaf-Dardha, Roshniku etj, që kanë shkruar histori në kohë të ndryshme. Edhe historia, trashëgimia kulturore janë motive të forta për lëvizjen turistike në këtë zonë. Por, motivi i vjeshtës mbetet kryesor.
Nako thotë për ATSH se “turistët që vijnë nga Europa mbeten të impresionuar nga natyra jonë dhe mikpritja”.
Duke folur me pasion për punën dhe arritjet në prezantimin turistik të këtij parku, ai tregon dhe për rrugëkalimet që ndjekin të rinjtë aventurierë të lartësive.
“Shtigjet e çelura nga specialistët e AdZM Berat, përdoret nga alpinistët nga vizitorët amator vendas, por tashmë me to janë njohur dhe të huajt nëpërmjet fletëpalosjeve apo nga guidat shoqëruese të specialistëve tanë. Agjencitë turistike, gjithnjë e më shumë po e vendosin në guidën e tyre këto shtigje dhe turistët e huaj janë tepër të kënaqur”, përfundon intervistën e tij për ATSH-në, drejtori i Parkut Kombëtar të Tomorrit, Fatos Nako.
Atsh