Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por që po ndeshen me kundërshtimin e fortë të kryeministrit Haradinaj, gjë e cila ka acaruar më shumë situatën.
Për Haradinajn taksa nuk do të hiqet pa patur diçka në tryezë: “Nëse situata bëhet serioze, nëse ne kemi një plan në tryezë që është afër një marrëveshjeje, ne do ta heqim taksën, do t’i japim kësaj marrëveshjeje një shans. P.sh., nëse ka një konferencë si ajo e Rambujesë apo diçka të ngjashme, me qëllim që të arrihet diçka, atëherë ne do t’i japim një shans. Nuk është në interesin tonë të bllokojmë një marrëveshje mes nesh dhe Serbisë. Por, derisa kjo marrëveshje të arrihet, tarifat do të mbeten në fuqi”.
Edhe avokat Spartak Ngjela është i të njëjtit mendim. Sipas tij, “nëse politika amerikane nuk e kupton këtë, atëherë ajo po luan jo vetëm kundër interesit shqiptar, por edhe kundër interesit amerikan.”
Reagimi i plotë i avokat Spartak Ngjelës
Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës duhet të respektojë historinë në funksion të dinjitetetit shqiptar. Taksa vendosur Serbisë është zgjidhje për lartësimin shqiptar, dhe hakmarrje kundër një pushtuesi kriminal siç është Serbia.
Askush nuk ka të drejtë që të ndalojë shqipëtarët për të vijuar luftën në rivendosje të dinjitetit të tyre të nëpërkëmbur nga Fuqitë e Mëdha në shekullin që kaloi, dhe kundër krimeve që serbët kanë bërë kundër shqiptarëve si pushtues territoresh.
Nëse politika amerikane nuk e kupton këtë, atëherë ajo po luan jo vetëm kundër interesit shqiptar, por edhe kundër interesit amerikan. Qëndresa e Ramush Haradinajt për të mos hequr taksën 100 përqind kundrejt mallrave serbe që hyjnë në Kosovë, është në mbrojtje edhe të interesit shqiptar edhe të interesit amerikan. Me taksën e vendosur kundër mallrave serbe arrihen dy objektiva: falimenton Serbia ekonomikisht, dhe lulëzon prodhimi në Kosovë, madje edhe në Shqipëri.
Pse kanë europianët kaq shumë merak për falimentimin e një shteti që ka bërë vetëm krime kundër shqiptarëve!!! Kryeministri shqiptar i Kosovës duhet të tregojë për herë të parë në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, se shqiptarët sot janë futur në historinë e tyre mijëravjeçare për t’u treguar vendin historik të ardhurve që kanë 400 vjet që fallsifikojnë historinë e Arbërisë.