Sarandë, drejt përfundimit mozaiku në qytetin bregdetar

Rehabilitimi i shkallareve të Sarandës, objekti i parë në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik”, i financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore është drejt përfundimit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se puna për rifiniturat dhe detaje të tjera finale parashikohet të mbyllen në muajin shkurt.

Sipas FSHZH-së, Saranda është pjesë e një programi ambicioz investimesh prej 13 milionë eurosh që do të zbatohen në këtë bashki nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Janë rikonstruktuar nga e para 4 arteriet komunikuese të cilat formojnë një mozaik të bukur në një sipërfaqe 5,200 m², duke kombinuar gurin e bardhë me qeramikën. Është punuar edhe për ndërhyrjet në rrjetin elektrik dhe sistemin e kanalizimeve (400 metra linear), arredimin urban dhe ndriçimin”, thekson FSHZH.

Në muajt në vijim, sqaron FSHZH, ky invesim do të pasohet nga një tjetër ndërhyrje për Rigjenerimin Urban të Shëtitores “Naim Frashëri”, që parashikon rehabilitimin e 12,700 m² sipërfaqe.

Këto ndërhyrje kanë për qëllim ridimensionimin e vlerave të qytetit, përmirësimin e peizazhit urban dhe forcimin e identitetit turistik të qytetit të Sarandës.

Qyteti i Sarandës e ka origjinën në shekullin VI para erës sonë, por qyteti filloi të merte formën e tij në vitin 1930, kur filloi të zbatohej plani i parë urban. Masterplani i parë i qytetit të Sarandës u hartua nga një arkitekt austriak gjatë sundimit të Zogut I.

Vizioni kryesor i këtij masterplani ishte krijimi i një qyteti port , në harmoni me peizazhin rrethues. Me kalimin e viteve plani austriak u pasua nga ai italian gjatë pushtimit të Shqipërisë, si dhe nga shumë plane të tjera gjatë regjimit komunist (1960,1976, 1982).
Ky qytet, cili ka marrë emrin e një manastiri bizantin, që quhej në greqisht “Agioi Saranta”, 40 shenjtorët, njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Plazhi i pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një Manastir, plazhi i pasqyrave, i Ksamilit, etj, ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare./atsh/

Loading...