Ky vëzhgim ka zgjatur deri në datën 24 janar, kur pasi kishte lënë punën dhe marrë shufrën e hekurit me vete, ishte pozicionuar pranë banesës së motrës për të parë nëse Gjeçi do ta takonte atë. Më shumë se dy ditë iu desh Prokurorisë së Tiranës të zbardhte të gjithë ngjarjen, e cila duket se shkak ka ruajtjen e nderit nga ana e Canit, i cili nuk mund të pranonte një lidhje të tillë. Nga ana tjetër, viktima ishte baba i tre fëmijëve, ndërsa njihej me autorin dhe familjarë të tij.
Në kërkesën për caktim të masës së sigurisë, Prokuroria ka renditur dëshmi të autorit, motrës së tij, si dhe mënyrën se si bashkëshorti i kësaj të fundit, Dëfrim Kurti, kishte larguar trupin e viktimës nga toka e tij, duke i kërkuar ndihmë të afërmve, të cilëve nuk i kishte treguar të gjithë situatën.
Trupi i 34-vjeçarit është endur për disa minuta sa në një vend në tjetrin, ndërsa në fund një kushëri i Kurtit e ka futur në banesë, ku e kanë mbajtur ngrohtë deri sa të vinte i vëllai i Gjeçit, i cili e ka marrë dhe transportuar për në Spital me një makinë të lartë. Edhe vetë 20-vjeçarja, në dëshminë e dhënë ka pranuar lidhjen me viktimën, ndërsa ka treguar për takimin e pasdites së 24 janarit, që do të përfundonte me vdekjen e të dashurit të saj. “Kam dëgjuar zhurmë goditje”, ka thënë ajo, ndërsa ka shpjeguar për hetuesit se nuk e kishte parë personin që qëlloi. Në momentin që ka shkuar të shikonte, ishte vetëm trupi i gjakosur i Arben Gjeçit, i cili, sipas saj, përpëlitej dhe nuk thoshte asnjë fjalë.
DESHMIA E D. KURTIT
Shtetasi D. Kurti e ka transportuar viktimën larg shtëpisë dhe ka marrë në telefon shtetasin I.K., duke i thënë se ka gjetur dikë të shtirë në rrugë që lëshon zhurma dhe ka frikë t’i afrohet. Shtetasi I.K. ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka thirrur të vëllain të shkonte atje, pasi ishte lajmëruar nga Kurti se ka gjetur një person të plagosur dhe se ai ishte shtetasi A.Gjeçi, i cili ishte fshatar i tyre dhe njëkohësisht shofer i linjës së furgonave të zonës. Pasi janë takuar të tre, kanë shkuar matanë përroit dhe kanë parë të shtrirë shtetasin A.Gjeçi, i cili rënkonte, por nuk fliste.
Ishte i lagur, pasi binte pak shi dhe ishte i gjakosur në kokë në anën e majtë, po ashtu gjak kishte në xhup dhe në triko. Të tre së bashku e kanë marrë në krahë dhe e kanë çuar te shtëpia e B.K., ku i kanë hequr të gjitha rrobat në brez e sipër, pasi dridhej dhe kishte ftohtë. I kemi hedhur dy-tre batanije që të ngrohej si dhe i kam futur shumë dru sobës për t’u ngrohur më shumë ambienti. Ndërkohë, ka marrë në telefon vëllain e Arbenit, shtetasin C.GJ., të cilit i ka thënë se ka gjetur Benin jashtë të vrarë dhe të gjente ndonjë makinë për ta çuar në spital.
Nga verifikimi i thënieve të shtetasit D. Kurti, me procesverbalin e verifikimit të thënieve, vërtetohet se ai me gisht ka treguar se ku ka gjetur kufomën në derë, më pas e ka marrë atë dhe e ka dërguar në lagjen “Bakutja”, duke e lënë në anë të rrugës. Më pas, ka shkuar në parcelën e shtetasit S.K., ku kishte hequr bluzën e tij me njolla gjaku dhe e kishte fshehur poshtë një rrase guri, si dhe ka fshehur po në këtë parcelë, në murin rrethues, në mesin e saj, telefonin “iPhone” me ngjyrë blu e të bardhë, që i përkiste viktimës A. Gjeçi. Më pas, ai ka lëvizur me mjet në drejtim të qytetit të Tiranës.
(Shqiperiaime)